Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shpërndarë një mesazh urimi në rrjetet sociale me rastin e 110-vjetorit të themelimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Kreu i shtetit shprehet mirënjohës ndaj arkitektëve të pavarësisë, të cilët sipas tij, themeluan në momentet më të vështira të vendit, një nga shtyllat e domosdoshme të garantimit të pavarësisë së Shqipërisë.

Sipas tij, rrugëtimi i Forcave të Armatosura në gjithë këto vite ka qenë i vështirë dhe i mbushur me shumë sfida.

Begaj thotë se tashmë forcat e Shqipërisë vijnë të modernizuara e është anëtare e NATO-s dhe si e tillë, e gatshme të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe detyrimet euroatlantike. Begaj thotë më tej se është i domosdoshëm më shumë përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim i pakursyer nga të gjithë pasi jemi në një kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes.

Postimi i plotë i Begajt:

Përjetë mirënjohës arkitektëve të pavarësisë, të cilët në ato ditë të vështira, kur vihej në pikëpyetje ekzistenca e shtetit të sapoformuar, me guxim, mençuri dhe atdhetarizëm të lartë, themeluan një nga shtyllat e domosdoshme të garantimit të pavarësisë së shtetit Shqiptar.

4 dhjetori i vitit 1912 shënoi themelimin Forcave të Armatosura në historinë e shtetit dhe kombit tonë.

Rrugëtimi 110 vjeçar i Forcave të Armatosura ka qënë i vështirë dhe i mbushur me sfida.

Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë vijnë sot në këtë 110-vjetor të themelimit, si një forcë moderne, anëtare e NATO-s dhe aleate e besueshme, e aftë të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe detyrimet Euro-Atlantike, e angazhuar në një sërë misionesh në mbrojtje të paqes dhe sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon e në botë.

Arritjet e deritanishme janë rezultat sa i përkushtimit dhe mundit të përbashkët, aq edhe i mbështetjes së vyer e të pazëvendësueshme të miqve dhe aleatëve tanë të NATO-s. Mirënjohja dhe vlerësimi ynë është maksimal për ndihmën e dhënë për transformimin, modernizmin, trajnimin, edukimin dhe rritjen e kapaciteteve tona ushtarake, falë bashkëpunimit tonë të ngushtë në tre dhjetëvjeçarët e fundit.

Në një kohë me sfida të shtuara ndaj sigurisë dhe paqes, është i domosdoshëm më shumë

përkushtim, përgjegjshmëri dhe angazhim i pakursyer nga të gjithë ne.

Jam i bindur se angazhimi dhe detyrimi ynë do të vijojë të mbetet i shenjtë ndaj Atdheut, Nderit dhe Detyrës!

Gëzuar 110-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura!