Axhendë të ngjeshur aktivitetesh ka premtuar Ministria e Kulturës për festimet e 28 nëntorit. Në një deklaratë për mediat, duke publikuar kalendarin, ministri Aldo Bumçi theksoi se, në këtë axhendë i është dhënë më shumë prioritet festimeve në Vlorë. Në të do të jenë të pranishëm personalitetet më të larta të vendit, e më pas axhenda parashikon që në drekën e 28 nëntorit personalitetet të vijnë në Tiranë, ku do të vijojnë festimet deri natën vonë.

“Kremtimet fillojnë në Vlorë me ngritjen e flamurit, homazhet dhe më pas vijojnë në Tiranë deri në orët e vona të natës. Kremtimet fillojnë në Vlorë dhe pas dreke vijojnë në Tiranë. Ka ngjarje te shumta, kemi përurimin e përmendores kushtuar 100-vjetorit, koncertet festive dhe aktivitete të tjera që do zhvillohen gjatë ditës.”- tha ministri.

Sipas tij kalendari më datë 27 nëntor në orën 18.30 në Vlorë do të zhvillohet një koncert festiv me pjesëmarrje trupash artistike nga vendi. Në të do të marrin pjesë presidenti i republikës, kryetarja e Kuvendit, kryeministri Sali Berisha, trupi diplomatik, kryetari i bashkisë së Vlorës etj. Të nesërmen, po në Vlorë, në orën 10.00 do të bëhet hapja zyrtare e ceremonisë së kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë duke kryer homazhe në Monumentin e Pavarësisë dhe do të vendosen kurora me lule mbi varrin e Ismail Qemalit. Më tej festa do të vijojë në Tiranë.