Kreu i komisionit të jashtëm Fatos Beja në një intervistë për emisionin “Studio 24” të gazetarit Denis Minga, në "News 24" bën edhe njëherë fajtore opozitën për dështimin e radhës se Shqipërisë, ku për të tretën herë vendit tonë iu refuzua statusi i vendit kandidat.

“Është një lajm i trishtuar, vlerësohet progresi, por nuk u arrit ajo që pritej. Me kalimin në Parlament të amendamenteve të tre ligjeve ne kishim shans, por ato nuk u votuan nga bllokimi i opozitës. Është një hap që nuk bëhet vetëm nga një palë. Nuk ka ndodhur kund që opozita të bëhet pengesë, fatkeqësia jonë”, tha Beja.

Kreu i komisionit të jashtëm deklaroi më tej se, ‘Pengesa për Shqipërinë ka qënë nga brenda, ashtu siç nuk ndodh me asnjë vend tjetër. Vendet e tjera të rajonit i kanë tejkaluar problemet dhe kam marrë mbështetjen e Brukselit. Kemi rastin e Serbisë kur opozita luftën e brendshme nuk e shfrytëzon si kartë, ndërsa në Shqipëri opozita nxin situatën. Kur bëhet fjalë për BE pozita dhe opozita duhet të mbështesin njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për interesa afatgjata”, tha ai.

Sipas Bejës kundërshtimet e opozitës nisin që nga zgjedhjet e vitit 2009 dhe që atëherë tha ai, ata vetëm kanë bllokuar.

“Ata deklaruan se u vodhën zgjedhjet kur në zgjedhje mazhoranca dhe opozita dolën 70 me 70, qeveria doli nga koalicioni dhe jo nga zgjedhjet”, komentoi ai.

Duke kërkuar votimin e tre ligjeve në Parlament, Beja tha se për Shqipërinë mund të hapet një dritë jeshile edhe në muajin mars, mjafton që opozita të mos bllokojë.

“Nëse kalojnë tre ligjet, mund të na hapet drita jeshile për statusin në muajin mars”, tha Beja.