Nga BUJAR QESJA

Një praktikë e veçantë e punës time të gjatë krijuese, të lodhshme, por nderuese, mbetet ky shkrim që merret tërësisht me një njeri të thjeshtë, madje shumë të thjeshtë. Ai mbetet i veçantë në atë që shpreh, në mënyrën se si e përfaqëson dëshirën e tij, hobin e tij, duke krijuar portretin e një mbështetësi të pakonkuruar në futbollin e qytetit të tij. Ka pyetur dhe i kanë thënë, se vërtet mbiemri i tij është i lidhur me Spanjën, mbase dy tri shekuj të shkuar. Dhe i vjen mirë, që temperamenti i tij lindi e u zhvillua njëqind për qind, duke i ngjasuar tifozërisë shpërthyese spanjolle.

Arben Spanjolli, i datëlindjes 12 gusht 1968, as që mund ta mendonte se do të bëhej tifozi numër një i “Lokomotivës” së mëparshme dhe i “Teutës” së tanishme. Një pohim me përmasat e një realiteti të mëpasëm, ku që nga 12 gushti i vitit 1968 e deri më tani, nuk mund ti lëvizë as presjen. Në maternitet atë ditë do të pohohej si padashur profecia e Lemes, e nënës së Benit.

-Para se të dilte në jetë djali, linda më parë një top”.

Arbeni i Durrësit, me histori të largët nga gadishulli i Pirenejve, do të kthehej numuri një i formacionit të Teutës. Të duket se pas tij dhe titullari më i thekur, do të ishte veçse i dyti. Ka tifozë e tifozë, por në formatin e Benit të Lemes, jam munduar më kot të gjej një të dytë. Në Durrës jo se jo. Por edhe në Shqipëri sigurisht që jo. Mos na duket utopi dhe befasia të jetoj brenda të paimagjinueshmes, duke na nxitur guximin për ta berë Benin tonë, kampion europian të inkurajimit dhe mbështetjes të pafre të ekipit të zemrës.

Kam një jetë të tërë që e ndjek dhe e kam testuar mbështetjen e tij, prej mishit dhe gjakut të tij, prej zërit të tij, që kurrë nuk i humbi fuqia e thirrjes, deri në krijimin e një pickame që të trondit, për nga forca e timbrit të pazakontë. E kam pyetur dhe e pyes veten vazhdimisht: ku e gjen tërë këtë potencë, që i ngjason një gjeneratori gjigand që prodhon e prodhon pa u ndalur, energjinë e vetme të këtij njeriu me emrin Arben Spanjolli, që s’ka ndërmënd edhe më tej të ndalet.

“Më parë kam lindur topin, e më pas djalin”.

Eh Leme, çfarë profecie krijove pa dashur bashkë me lindjen e gjakut tënd! A mund të lindë njeriu top!? Ja pra, në rastin e Benit të Lemit me sa duket po. Më mirë se të gjithë ne, këtë e di Lemja e Benit. Ishte vetëm 10 vjeç, kur Haxhi Ballgjini e vendosi Benin e vogël në çantën e tij, e udhëtonte së bashku me të në Gjirokastër. Pa i thënë kujt, iku nga shtëpia pa leje dhe as i shkonte ndërmënd se do të ndëshkohej rëndë nga i jati.

Dhe nga kjo kohë, do të vazhdonte rrugëtimi i gjatë dhe i pandalur i Benit të Lemes, ku si një marathonomak vrapon e vrapon nga një stadium në tjetrin.

Mbase Lemja do të na kishte thënë këtë më kryesoren, që kur lindi Beni do të ketë bërë sigurisht vaksinën e Kovidit të futbollit. ADN-ja e tj është e pastër dhe e palëkundur, duke na dhënë tipin e një tifozi të pandalur, ku bateritë e energjive të tij, janë gjithnjë të mbushura nga një vetakomulim i paimagjinueshëm. Gryka nga ku dalin thirrjet e llahtarshme në mbrojtje të moralit të Teutës së tij, të duket si një shpellë gjigande, ku zërat oshëtijnë me zhurmën e një katarakti gjigand. Kur bie shi, as ka ndërmënd të vendosë çadrën. Kur është ftohtë, as e ka në hesap të vendosë doreza apo të shtoj veshje. Ai është i njëjti kudo, në çdo kohë, në të ngrohtë e në të ftohtë. Mëndja i rrotullohet tek sfera, duke sinkronizuar në detaje lëvizjet e tij dhe të këmbëve të futbollistëve.

Kur luan Teuta, natyrisht luan edhe Beni. Ai duket sikur është në shkallët e arenës sportive, por jo. Ndodhet brenda fushës, madje brenda fizikut të çdo futbollisti. Ai është i përgatitur për këtë, por edhe futbollistët e dinë që brenda tyre është ai, Beni i famshëm i Lemes. Thirrjet e tij janë kushtrim. I gjithë qyteti i dëgjon dhe tronditet prej tyre. Si nuk u lodh ky njeri! Sa me dëshirë e bën këtë punë të papaguar dhe të pacaktuar! Po ku luhet me shpirtin. Kështu është sporti shpirt dhe temperament.

Më thonte një ditë ky Beni i Lemes.

-Ne të dy jemi përjetësisht të palëvizur. Ti me lapsin tënd dhe unë me zërin e gjakut tim. Ne nuk mund të zëvëndësohemi. Do ikin dhe do të vijnë. Por ne të dy këtu jemi dhe kemi për të qenë edhe sikur pa frymë të mbetemi.

Çfarë njeriu ky Arben Spanjolli! Sa king! Sa shpirtmadh! Ndonëse me një rrogë modeste të mekanikut në Hekurrudhë, ai e gostit ekipin dhe tifozërinë me dhuratat e tij. Janë prej gjakut dhe prej mishit të tij. 250 shalla bëri duke shkruar mbi to KF Teuta- Djemtë e Detit. Nuk i tha kujt sa shpenzoi, por i shpërndau në njerëz sikur t’ia kishin falur. Ben Spanjolli i kishte taksur zemrën futbollit, e sa për këto shpenzime ndjehej në kënaqësinë e një njeriu fatlum.

Daullja, instrumenti më magjik që kemi parë, punon me rrahjet e pulsit që prodhohet nga zemra e tij. Me një sombrero alla meksikanëshe të vendosur mbi krye, ai ngjason me tifozin e famshëm spanjoll të Valencias Manolo. Nuk e di a ka dijeni Beni i Lemes, se i famshmi Manolo – Manuel Kaseres Artesero, i moshës 71 vjeçare, në inventarin e të cilit janë 400 ndeshje të kombëtares spanjolle, ka vënë në shitje katër daullet e njohura të tij. Varfëria për të përballuar sëmundjen e tmerrshme Covid 19, e kanë detyruar të ngjashmin e Benit tonë, për të marrë këtë vendim të dhimbshëm. Ndërsa Arben Spanjollin tonë, as ka ndërmënd ta mundë varfëria, pasi “pasuria” e tij është e mjaftueshme. Ai ushqehet me pasionin e jashtëzakonshëm të futbollit të qytetit të tij të lindjes.

Ishte viti 2006. Në Spanjë luanin “Valencia” –“Real Madrid”. Në ndeshje ndodhej dhe një tifoz i veçantë. Mbase mund të ishte i vetmi, që kishte mbiemrin Spanjolli. Dhe ky ishte durrsaku ynë Arben Spanjolli, që si tifoz i “Realit” kishte shkuar me kursimet e tij të takonte edhe Manolon, të ngjashmin e tij spanjoll. U mërzita kur më tha, se nuk kishte bërë qoftë edhe një foto të vetme me këtë Manuel Kaseres Artesero.

Sa daulle tip Manolo ka blere Beni i Lemes? Sa shpenzime të tjera materiale ka bërë ky artist i topit i shkallëve të stadiumit? Sa para ka konsumuar ky tifoz unikal, teksa ka ndjekur ekipin kombëtar brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë? Sa i “coptuar” është xhepi i tij, kur nuk ka lënë asnjë ndeshje të “Lokomotivës” dhe “Teutës” pa ndjekur? Hipur mbi rrethimet e hekurta të fushave të futbollit, ai Beni i Lemes, dirigjonte me magjinë e zërit të tij masën e tifozërisë. Çfarë është ky zell dhe pasion për ekipin e shpirtit, që iu krijua së bashku me lindjen e tij?

Asnjëherë nuk e ka menduar dy herë Manolo i Durrësit, se çfarë mjeti i duhej për të ndjekur “Teutën” në Shkodër, Tiranë, Lushnje, Berat, Fier, Vlorë, Laç, Elbasan etj. Ka vështruar biçikletën, ka biseduar me të dhe kanë rënë dakord të krijojnë atë binom tërheqës lëvizës. Ka fjetur edhe jashtë, duke pritur me padurim ndeshjen. Qytetet shqiptare të superligës, ia njohin “serenatat” sportive Benit të Lemes. Dhe e përshëndesin. E duan fort, se çmojnë pasionin e tij dhe dashurinë e madhe për ekipin e gjakut të tij.

Jo vetëm në futboll, por edhe në pallatet e sportit të lojrave me dorë ndodhet ai Beni i Spanjollit të Durrësit. Mos t’ju duket çudi, aq më pak befasi, kur ka ardhur në pallat suita e Benit, “Teuta” nga humbja ka përmbysur rezultatin. Ja pra sa mirë luan ky njeri i pashembull, jashtë fushës së lojës. Prandaj mbetet dhe do të mbetet gjithnjë titullar i pandrruar i ekipit.

Po krijues? Lexoj vargje të tëra kushtuar ekipit të futbollit, lojtarëve të veçantë, madje të shoqëruar edhe me muzikë. Beni i Lemës është poeti i sportit. Beni i Lemes është edhe kompozitor i futbollit. Zemra i prodhon çdo çast atë tingull, që e mban gjallë, i jep forcë dhe bukuri jetës së tij. Edhe kur bisedon thjesht dhe shtruar me të, më duket sikur fillon të bjerë daullja e fuqishme e tij. Tamtamet e saj, janë të rrahurat e kësaj zemre të përvëluar nga futbolli. Ky 53 vjeçar, me fuqinë dhe fizikun e një 20 vjeçari, as ka ndërmënd të tërhiqet.

Manolo i Spanjës po shet daullet, për të zbutur varfërinë. Ben Spanjolli i Durrësit, shet shpirtin, për të mbajtur kurdoherë të pashuar etjen ndaj futbollit e Teutës së tij. 43 vite në ndjekje të futbollit të Durrësit. Asnjëherë i lodhur dhe i mërzitur.

Dhe profecia e Lemes mbetet gjithnjë e pacënuar:

-Para se të dilte në jetë djali, linda më parë një top”.