Berina Kokona është gruaja që ka veshur motrat më të famshme në qytet këto kohë. Po të marrësh parasysh numrin e vendeve në sallën e Teatrit Kombëtar që mbushet plot, netët që “Tri motrat” vihet në skenë çdo javë dhe javët që vazhdojnë me të njëjtin program, do të thotë që shumë nga ju e kanë parë punën e saj të mrekullueshme. Të tjerë kanë dëgjuar me siguri. Gjithashtu kostumografe e “Liri në Bremen”, “Vrasja e Maratit” etj.etj., atë nuk e gjen gjatë në një vend. Është sa në teatër, aq edhe me studentët në Universitetin e Arteve, ku është diplomuar dhe vetë vite më parë, para se të kryente specializimin për fotografinë e skenës dhe spektaklit në Milano.
Megjithatë nuk është luks të gjesh pak kohë për një pikturë që të flet, për pak muzikë që të prek, për të parë lulet e kumbullës që, si çdo mrekulli, qëndrojnë fare pak.
Rrëfimi i njërës prej tri motrave, të familjes Bakiu këtë herë, ku e madhja është koreografja e njohur, Kozeta Bakiu. I një artisteje që la studimet në Financë për pikturën, pa arritur, as më vonë, të mësonte të bënte llogari në jetë. I një gruaje që i ka dhënë jetë ëndrrës, ndërsa rriste edhe djalin, të lindur në moshë fare të re e që sot është njeriu që i bën gëzimet të quhen lumturi.
Një rrëfim për veten edhe përmes emrave të kompozitorëve dhe poetëve, të shkrimtarëve dhe piktorëve, të heronjve të përditshmërisë dhe të librave. Me të njëjtin ton. Sepse nuk ka ndonjë kufi pa le sa të rëndësishëm mes reales dhe joreales. Aq më shumë për një njeri që personazheve fiction u skicon veshje.
Por edhe jashtë teatrit, ajo zonë që quhet e ajo tjetra që nuk quhet realitet, nuk janë aq të dallueshme sa ç’thuhet me fjalë. Vetja është aty ku ndjenjat janë…dhe shpendët që të bëjnë të ndiesh fluturimin, mund të vijnë nga një film fëmijërie.
Cila është pika më e thellë e mjerimit për ty?
Humbja e një njeriu të dashur, malli për dikë që nuk e kam më.
Nëse do mund të zgjidhje, ku do të pëlqente të jetoje?
Këtu ku jam për momentin, në Tiranë. Pak më vonë, në një metropol më të madh …e më vonë akoma, me siguri do zgjedh një vend me diell dhe det.
Çfarë është lumturia për ty?
Çdo arritje dhe rezultat i tim biri.
Për cilat gabime ndihesh më shumë fajtor?
Për çdo orë të humbur në familje.
Cilat personazhe të historisë vlerëson më shumë?
Leonardo Da Vinci.
Cilët janë heronjtë dhe heroinat e tua në letërsi?
Kronologjikisht, Tom Sojer, Anna Karenina, Jennie Gerhardt, Kandid, Zadig etj.
Po heronjtë e jetës reale?
Të gjithë të rinjtë që me optimizëm shohin përpara për të ndërtuar një të ardhme të denjë.
Piktori i preferuar?
Otto Muller dhe përgjithësisht ekspresionizmin gjerman, Tamara de Lempicka, Lucien Freud etj.
Muzikanti i preferuar?
Mozart, Bob Dylan, por nuk kam dëgjuar pak Heavy Metal në rininë e hershme :).
Cilësia që admiron te një burrë?
Ekuilibri.
Po te një grua?
Më pëlqejnë gratë fine dhe mendjemprehta.
Nëse do ishe një tjetër person, kush do ishe?
Kjo që jam dhe asnjë tjetër…pak më e mençur, nuk do ishte keq në fakt :).
Tipari yt më i spikatur?
Energjia.
Po tipari që vlerëson më shumë te miqtë?
Të qenit të drejtpërdrejtë.
Cili është defekti yt më i madh?
Rrëmbehem.
Nëse do ishe një objekt, ose një kafshë, çfarë do ishe?
Objekt nuk mund të isha, se nuk rrij dot në një vend. Kafshë nuk di, po besoj një lloj felini i egër.
Ngjyra e preferuar?
Ndryshon…kam një tendencë drejt neutraleve me periudha të gjata, por të kuqen te të gjitha format, bordeaux, veronese, carmin …e adhuroj.
Lulja e preferuar
Lulet e drurëve frutorë në pranverë, e pemës së kumbullës mbi të gjitha. Më kujton oborrin e shtëpisë dhe gjithë fëmijërinë në majë të pemës.
Shpendi që të pëlqen?
Patat e egra të Nils Holgersonit :).
Cilët janë shkrimtarët e tu të preferuar?
Më pëlqen realizmi magjik, Marquez dhe qyteti i Macondo-s në “100 vjet vetmi”, Volter, Dreiser, Murakami, Mahfuz…varet. Për shkak të profesionit lexoj dhe shumë autorë dramaturg. Do veçoja Wilde, Cehov.
Po poetët?
Lexoj pak poezi këtë kohë…Baudlaire, Anais Nin…këtë zhanër e ndaj me francezët me kënaqësi :).
Cila është gjëja që nuk pëlqen fare?
Të rri kot.
Çfarë dhuntie do doje të kishe?
Të isha pak më e zonja me llogaritë. Jam një tmerr.
Si do doje të vdisje?
Në gjumë.
Në ç’gjendje mendore je aktualisht?
Po mendoj që kam edhe vetëm një pyetje dhe mbaroj. U bëra vonë për në prova. Dhe as nuk kam ndër mend t’i kthehem intervistës për ta korrigjuar.
Cila është motoja juaj në jetë?
E ardhmja, si ta ndërtosh vetë :).
Intervistë marrë nga Revista Class