Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se integrimi i Shqipërisë në BE është peng i kryeministrit Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale.

FJALA E BERISHËS

Çdo ditë e më shumë bëhet botërisht e qartë se Edi Rama është një gangrenë siç shprehet sot një publicist i mirënjohur për të, Michael Rubin, një gangrenë që duhet hequr sa më parë.

Në këtë kuadër, mendoj se opozita në kushte të një narkodiktature, po qëndron fuqishëm si zëri i vërtetë i shqiptarëve që besojnë tek vlerat e lirisë, që shpresojnë të kenë një të ardhme që meritojnë dhe këtë të ardhme më të mirë është e ardhmja në BE.

Nuk ka projekt më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe kombin se sa vendosja e Shqipërisë në këtë komunitet ashtu siç e projektonin rilindësit tanë, zonjë midis vendeve të tjera të Evropës.

Por ky proces, siç faktohet çdo ditë e më shumë, është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë, me kreun e saj të Meduzës, Edi Ramën.

Shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë.

Për ta, integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve.

Ky proces kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut.

Opozita ka zgjedhur në këto kushte të qëndrojë e pamposhtur si zëri i ndërgjegjes së këtij kombi, që kërkojnë me çdo kusht ta izolojnë, ta poshtërojnë dhe ta largojnë nga rruga e integrimit.