KUKES, 23 maj 2013– Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka deklaruar që nga Kukësi ku prezantoi kandidatët për deputetë të PD në këtë qark, duke iu përgjigjur Ramës dhe Metës se të hënën mblidhet Parlamenti për të miratuar tre ligjet, për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian.

Berisha u kërkoi qytetarëve të Kukësit të votojnë numrin 44 të fletës së votimit, ku renditet Partia Demokratike.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë ka sulmuar sërish opozitën dhe kryesocialistin Edi Rama.

“Alternativa tjetër është alternativa e akuzave, poshtërimit të shqiptarëve. Njeriu që pak vite më parë do të shkruante për vendin e tij me fjalë më të ndyra. Le t’i themi këtij shoku se natyrisht për ty e bukur ishte Shqipëria e etërve të tu ndërsa për shqiptarët është e bukura e dheut, është Amerika e tyre, është parajsa e tyre tokësore. Shqipëria për ty është sot e shëmtuar por jo për shqiptarët. Për shqiptarët ajo pavarësisht se është dekada larg Amerikës, ajo është Amerika e tyre”, tha Berisha.