Ish-Kryeministri Sali Berisha mendon njësoj si Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i cili javën e kaluar i kërkoi Parlamentit të Shqipërisë që të mos lejojë turistët rusë në vendin tonë.

Kësaj kërkese, Kryeministri Rama iu përgjigj që Shqipëria merr të njëjtat vendime si BE, dhe një ndalim i tillë nuk është ndërmarrë deri tani nga asnjë vend i unionit.

Por, Berisha thotë se Kryeministri Edi Rama bën lojë të dyfishtë në rastin e Ukrainës.

Ish-Kryeministri kërkoi që të mos lejohen në Shqipëri për pushime shtetasit rusë, për shkak të luftës që Rusia po zhvillon në Ukrainë.

“Edi Rama bën një lojë të dyfishtë edhe në rastin e Ukrainës. Presidenti i Ukrainës nderoi shqiptarët, parlamentin tonë me një fjalim. Ai pati vetëm një kërkesë, nuk kërkoi nga Shqipëria aeroplanë, tanke, raketa, as dhe municione. Nga Shqipëria kërkoi vetëm një gjë, mos lejoni turistët rusë të vijnë në brigjet tuaja. Dhe Edi Rama flakë për flakë në mënyrën më të pacipë, më amorale ju përgjigj se kjo nuk do të ndodhë. Unë jam këtu për ta dënuar edhe njëherë këtë qëndrim antishqiptar, anti-NATO, anti-Ukrainë. Pse u dashka vrasësit dhe përdhunuesit rusë të vijnë në brigjet tona dhe të shplodhen? Pse u dashka Shqipëria të ngjasojë me Serbinë në qëndrimet e saj ndaj Rusisë?

Ky është një akt i papërgjegjshëm. Cila është arsyeja? A nuk është kjo një lojë e turpshme e dyfishtë që bëhet nga vendi ynë? E garantoj Edi Ramën se koha kur ai sillej si padron i pakontestueshëm i këtij vendi ka marrë fund, koha kur sillej si argat i Aleksandër Vuçiç merr fund. Opozita e vërtetë është krejt tjetër. As është pajtuar dhe as do pajtohet kurrë me qëndrimet anti-shqiptare, anti-kombëtare. U bëj thirrje shqiptarëve, të ngrihen në lartësinë e njerëzisë së tyre dhe të gatshëm për të gjitha reagimet e nevojshme në mënyrë që të marrë përgjigjen e merituar Edi Rama në kohën e duhur”, deklaroi Sali Berisha.