TIRANE – Gjatë fjalës së tij në konferencën vjetore të turizmit, kryeministri Berisha theksoi se turizmi në Shqipëri ka njohur rritjen më të madhe, duke ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit. Ndërsa nënvizoi se qeveria ka aplikuar standarde liberale për turizmin, Berisha theksoi nevojën e promovimit të potencialeve të vendit, për të zhvilluar edhe më tej turizmin në Shqipëri. 

“Shqipëria ka nder panoramat bregdetare, malore më mahnitëse në Mesdhe dhe më gjerë. Nuk ka brigje që të kenë ujërat e Jonit dhe rërën e Adriatikut, siç kanë brigjet e bregdetit tonë. Natyrisht turizmi i gjersotëm në tërësi është bregdetar. Ai malor do të jetë turizmi i së ardhmes. Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm për sipërfaqen e saj të turizmit malor. Me disa masa të reja që do të marrim, do bëjmë gjithçka që Shqipëria të ketë resorte turistike dimërore, më të mëdhatë në rajon. U detyrohemi shumë disa agjencive turistike në botë, të cilat listuan Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore të turizmit. Por promovimi ynë ka qenë shumë modest. Të angazhohemi për një promovim më të madh të potencialit të jashtëzakonshëm turistik të vendit.”- u shpreh kryeministri. 

Ndër të tjera shefi i qeverisë theksoi se në turizëm janë përdorur standardet më liberale, duke mbledhur më pak taksa në krahasim me vendet e tjera. Kjo politikë liberalë, sipas Berishës, është ndjekur qëllimisht për të luftuar varfërinë në zonat që përdorin banesat e tyre për shërbimet e hotelerisë. 

“Hoteleria në Shqipëri bazohet kryesisht në banesa, më shumë se në hotele. Ne e kemi parë këtë si një faktor për të luftuar varfërinë. Ne përdorim një standard liberal përsa i përket licencimit të agjencive. Nuk duhet të ndryshojmë standardin liberal, por duhet të përpunojmë kriteret, në mënyrë që të krijohen kushtet ligjore për një veprimtari sa më serioze. Hotelet në Shqipëri nuk janë të kuotuara qëllimisht, sepse nuk kemi dashur të shiteshin yjet dhe pastaj të kemi mospërputhje midis shërbimit dhe yjeve. Yjet duhet të vendosen gradualisht dhe klientela, mendoj unë, është autoriteti më i sigurt për të vendosur yjet ne çdo hotel dhe restorant, më shumë se sa burokracia.”- vijoi kryeministri.