Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga një takim me qytetarët në Lushnje, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili e kishte quajtur “buf”. Berisha tha se një etiketim i tillë i ka dhënë një epërsi të jashtëzakonshme në fushatë dhe premtoi se do e përdorë gjithë përvojën e tij politike për ta larguar Ramën nga pushteti më 11 maj.

“Ai që më quan mu buf. Por ai nuk kupton që më ka dhënë një epërsi të jashtëzakonshme, dhe ju garantoj që do përdor të gjithë eksperiencën, mençurinë time për ta përzënë më datë 11 maj, së bashku me ju,” tha Berisha para qytetarëve.

Kreu i opozitës ironizoi gjithashtu premtimet e fundit të Ramës për ndërtimin e makinave ushtarake në Shqipëri, duke thënë se prioritetet duhet të jenë të tjera.

“Kopjon dhe imiton si majmuni. Sot deklaronte se do prodhojmë ‘made in Albania’ makina ushtarake. Jo mor jo, do ta fillojmë me qumështin, me frutat, me zarzavatet, do ta fillojmë me biznesin e vogël, me biznesin e madh. Do të prodhojmë edhe makina, por Shqipëria do të jetë prodhuese dhe vetëm prodhuese,” u shpreh Berisha.