Kreu i Demokratëve Sali Berisha ka akuzuar qeverinë Rama se ka shkelur Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, duke përjashtuar nga gara për të fituar tendera kompanitë Europiane.

Në një dalje për mediat, Berisha u shpreh se treguesit e transparencës kanë pësuar një rënie katastrofale, pasi sistemit elektronik të tenderave, zyrtarët e qeverisë sipas tij i mbyllin sytë.

“Janë këto të gjitha nga Open Tender EU, organizatë kjo e besueshme e BE. Po kriteri i transparencës? Kriteri i transparencës është shumë i ulët. Vlerësohet gjithsej 54.5 pikë, ndërkohë që sistemi elektronik është përdorur nga viti 2010.

Pra, tregon që këta ia mbyllin sytë sistemit elektronik. Këta e zhurmojnë sistemin elektronik. Treguesi i transparencës ka një rënie katastrofale. Por ka edhe një tregues tjetër. Treguesi i mafies. Mbajeni shënim. Ky tregues, thotë, se mafia qeveritare shqiptare, në ligjin e mafies dhe jo në ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk lejon asnjë kompani evropiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri. Narkoqeveria Rama, është rasti i vetëm, kur në listën e kontraktorëve me tendera me vlerë të konsiderueshme, nuk ka asnjë fitues kompani nga vendet e BE apo kompani prestigjioze. E ndaluar! Kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Injorimi i këtij fakti është një akt i rëndë që dëmton shumë, për aq sa mund të dëmtojë Shqipëria tregun. Në MSA, Shqipëria është e detyruar të trajtojë si të barabartë investitorët, kompanitë që paraqiten në garat brenda vendit”, theksoi Berisha.