Në simpatinë për çiftet e njohur, një dhe një, nuk bëjnë gjithmonë dy. Në rastin e tyre, bëjnë më shumë.

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, vajza, djem dhe fëmijë, mbajnë radhën për një foto me Besin dhe Xhensilën. “Xhensila ti je? Po ti qenke më e bukur sesa në televizor”, i thotë një zonjë teksa shkëmbehen gjatë setit fotografik, e hutuar për një çast prej stilit pin up girl… Edhe pse aktori është Besi, Xhensila është gjendur menjëherë brenda rolit të një vajze të viteve ’50.

“Sikur më keni lexuar mendjen, gjithmonë kam menduar sikur kam jetuar në epokën e rock & roll-it.” Dhe vajzave të bukura. Natyralisht të bukura, si ajo. Si Jane Russell apo Gene Tierney. Ndërkohë që në Shqipëri, vajzat e vogla mund të thonë “e bukur si Xhensila Myrtezaj”. Ndërsa Besi, pikërisht sepse është aktor dhe ka krijuar tashmë një profil të tijin, nuk hyn me aq qejf në kostumin e një burri që dëgjonte Ray Charles, ose Dean Martin dhe lajmet për Luftën e Ftohtë ose lëshimin e Sputnikut.

Megjithatë, kur janë të dy bashkë, gjithçka është e mundur. Kur ajo i flet me fjalë të ëmbla, kujdeset që Besi mos të ulet në pozicionin e fotos sa kohë fotografja nuk është gati, kur ai e pyet nëse ajo ka arritur të hajë diçka gjatë orëve të setit, nuk të duhet të shkosh në Amerikën e asaj epoke…E dëgjon qartë. “That’s amore”.

Pas 6 vitesh bashkë, ata kanë arritur atë fazë që kushdo do ta donte. Kur çiftet kuptohen pa folur, por edhe vazhdojnë të flasin me të njëjtat fjalë të vogla, kujdesi e dashurie, si në ditët e para. Janë kthyer në mbështetjen kryesore për njëri-tjetrin. Nëse ajo ka mëdyshje për një koncert, është Besi që e bind. Nëse ai përgatit një këngë, ajo i jep mendim. Për të mos përmendur këngët e Xhensilës, në tesktet e të cilave, është gjithmonë dora e Besit. “Jemi shumë afër me njëri-tjetrin. Për secilin, është bërë e rëndësishme prania e tjetrit, si fizike dhe shpirtërore. Edhe kur nuk jemi pranë fizikisht, për shkak të ndonjë koncerti apo udhëtimi pune, komunikojmë gjatë gjithë kohës. Nuk bëjmë dot pa folur me njëri-tjetrin çdo çast, edhe kur jemi larg…Jemi pjesë e njëri-tjetrit tashmë”, thotë Xhensila.

Femërore, e ëmbël, e qeshur, sigurisht që nuk i lë askujt të mendojë “çfarë pëlqen Besi te ajo?”, por, veç të gjitha cilësive të dukshme, ai ka njohur “veçantinë” e Xhensilës. “Ajo është e veçanta ime. Ajo nuk është e përsosura, ashtu si edhe unë nuk jam. Ajo nuk është perfektja, ashtu si edhe nuk jam, por në sytë e mi, ajo është e veçanta, ka atë veçantinë që më bën t’ia ndiej mungesën. Në të vërtetë çdo njeri mendoj që ka të veçantën e tij. Dhe në dashuri, ti e shquan këtë te tjetri. Dashuria të bën më të mirë, ashtu ndodh kur jep dhe merr. Pak si e çuditshme kjo gjë, thënë nga një aktor humori, ose një katunar si unë, por ky është reaksion :).”

Një nga ato proceset që ndodh njëlloj në çdo epokë, që i mban afër njerëzit, edhe kur janë larg, siç Besit dhe Xhensilës u ndodh vazhdimisht për shkak të profesioneve.

Secili, suksesin e tij

Në ditën e të dashuruarëve, ata nuk ishin pranë sepse Besit i duhej të udhëtonte. Një javë më vonë ishte Xhensila jashtë Shqipërisë. Tashmë atë e ftojnë në koncerte ngado nëpër Evropë dhe ShBA dhe do t’i ishin kthyer në një aktivitet krejt normal, nëse nuk do ishte ai malli që e kap, pa u nisur, për njerëzit e afërt dhe Besin sigurisht. Megjithatë ai e nxit që të mos heqë dorë nga asnjë projekt që do përkthehej në mundësi dhe përfitime për vetë Xhensilën. “Besi është mbështetësi më i madh”, thotë ajo. Aktualisht, këngëtarja që ka arritur mbi 1 milion klikime në disa prej videove të saj, është duke përgatitur dy këngë të reja. “Janë materiale të bukura. Kam marrë demot dhe jam duke punuar me to. Do të publikohen shumë shpejt. Të paktën njëra, do të dalë përpara verës.”

Ndërsa Besi iu është rikthyer provave të Portokalli-së. Nuk zbulon diçka konkrete për personazhet që do të interpretojë këtë sezon, por garanton që hulumtimi nuk ndalon. “Në Portokalli ne jemi gjithmonë në kërkim të personazheve të reja, si para sezonit, ashtu edhe gjatë sezonit. Na jepet mundësia që të provojmë karaktere në numrat tanë, apo dhe kur bëhemi pjesë e numrave të kolegëve.”

Gjithsesi Gjinin dhe Skifterin të gjithë e njohin tashmë. Me personazhet e tij, Besart Kallaku dhe skenaristët e Portokallisë, kanë vënë gishtin ku duhet. “Katunari” mund të shpëtojë njerëzit nga komplekset që shkakton kjo shoqëria jonë, e qytetëruar sa hap e mbyll sytë. Ndërsa te “Skifteri”, të rinj të gatshëm për të ndjekur modele, mund të shohin në sy të vërtetën. Por janë edhe videot e shkurtra, ato ku ai merr ngjarjet e ditës e i tregon me gjuhën e humorit dhe sarkazmës. Janë edhe këngët, parodi të realitetit ku Besi ka arritur të gjejë rrugën e suksesit.

Dhe përtej të gjitha këtyre, sikur të mos ishin boll, ai vazhdon të korrë simpati. Me atë profilin e ulët që ruan me këmbëngulje dhe ndjeshmërinë njerëzore që shfaq vazhdimisht. Besi është nga të paktët persona publikë, bashkë me Xhensilën, që viziton rregullisht Shtëpinë e Fëmijëve dhe angazhohet me ta. Madje ai festoi edhe 30 vjetorin, te “Zyber Hallulli”, nëntorin e kaluar.

Për fëmijët, martesën dhe të tjerët

Kjo dëshirë për të ndihmuar, altruizmi si cilësi, jo si fushatë publicitare, është një tjetër e përbashkët e tyre, që ia ushqejnë edhe më shumë njëri-tjetrit.

“Besi është po aq i dhënë sa unë për të qendruar pranë këtyre fëmijëve. Ne kemi marrë një leje dhe i vizitojmë vazhdimisht, shpesh herë edhe veç e veç. I takojmë, kalojmë kohë me këta, iu bëjmë dhurata, të cilat më shumë na gëzojnë ne. Zgjedhim të lëmë një aktivitet tjetër që mund të konsiderohet si kënaqësi, për të shkuar te këta fëmijë dhe kënaqësia që marrim është e pakrahasueshme me asgjë tjetër.” Janë disa, fotot që e tregojnë të qeshur, si një motër të madhe mes fëmijëve që luajnë apo hapin pakot, atje, ku si thotë Xhensila, është bërë si e shtëpisë. Ashtu si edhe Besi. “Nëse postoj foto ndonjëherë nuk e bëj për t’u dukur. Unë shkoj vazhdimisht në Shtëpinë e Fëmijës dhe sigurisht nuk postoj foto sa herë që shkoj. Por ndonjëherë e bëj thjesht për të përcjell një mesazh, si ndërgjegjësim që duhet të kthejmë kokën nga njerëzit që mund të kenë nevojë për ndihmën tonë…”

Dashuria për fëmijët duket se ka lindur bashkë me të. Edhe kur ka qenë më e vogël, 22 vjeçarja marrosej pas tyre. Tani, për shembull, është e fiksuar me mbesën e Besit. E ka telefonin plot me foto të saj. “Nuk arrij dot ta mendoj si do jetë kur të bëhem vetë teze. Ia them këtë motrës sime që tani sigurisht as nuk e mendon këtë gjë, por kur të vijë dita, unë do çmendem nga gëzimi. I dua shumë fëmijët.”

Por një ditë do të vijnë edhe  fëmijët e atyre vetë, jo vetëm fëmijët e motrave dhe vëllezërve. Dhe Xhensila sigurisht që e ka menduar. “Unë kam dashur dhe vazhdoj të dua një familje të madhe me shumë fëmijë. Megjithatë, e di që shumë vajza kështu e projektojnë familjen dhe pastaj, kur lindin fëmijët dhe vijnë vështirësitë, e kuptojnë që nuk është aq e lehtë dhe nuk u dalin planet. Nuk e di si do jetë në rastin tim…”

Po ashtu, ka menduar edhe për dasmën. Nuk do të zbulojë shumë për këtë ditë, por nuk e fsheh që, si çdo vajzë, edhe ajo e ëndërron veten me fustan të bardhë. Kur ajo ditë të vijë, një gjë do jetë e sigurt: do të jetë një dasmë e madhe, me shumë të ftuar. “Sidomos Besi ka fis të madh, por kemi edhe një shoqëri të gjerë”…Dhe diçka tjetër, por këtë nuk e thotë Xhensila, sepse ca gjëra nuk kanë nevojë të thuhen, duken: ajo do të jetë një nuse shumë e bukur.

E nëse dikujt i kanë zënë sytë lajme që marrëdhënia mes tyre është krisur, mund të lexojë të vërtetën tani. “Marrëdhënia jonë nuk ka pasur kurrë çaste krize”, rrëfen Xhensila, së cilës i është dashur të mësohet me ato që lexon lart e poshtë e që kanë nisur të mos i bëjnë më përshtypje. “Megjithatë kur shoh që historia zmadhohet shumë, detyrohem të postoj një foto nga jeta ime me Besin që tregon që jemi bashkë. Jo për të bindur ata që shpikin lajme për të kundërtën, por thjesht sepse e ndiejmë si detyrim ndaj fansave tanë, njerëzve që na kanë mbështetur gjithmonë”.

Në shtëpinë e tyre

Ata të dy, edhe pse pak mund ta dinë, bashkëjetojnë prej gati katër vitesh, ndërsa kanë kaluar pesë tashmë, që kur janë fejuar. Jetojnë në familjen e Besit, ku Xhensila thekson ndihmën nga e ëma e tij, e cila është një mbështetje e madhe meqë ata të dy duhet të udhëtojnë shpesh dhe janë shumë të zënë, sidomos nëse kanë një projekt në duar. Prej kësaj marrëdhënie, është krijuar edhe ajo shkrirja tipike e kufijve mes familjeve. “Familja ime është edhe e Besit dhe familja e tij është edhe imja. Ne jemi një tani”.

Megjithatë, pas kësaj prove bashkëjetese, ku gjithsesi nuk u ka munguar kujdesi, duket që do të marrin përsipër sfidën për t’ia dalë mbanë vetë. Një sfidë, por dhe një kënaqësi, që po e ndiejnë për herë të parë tani, kur kanë blerë një shtëpi dhe janë duke u marrë me arredimin e saj. Janë ato dëshirat që lindin para një dere që hapet dhe një hapësire që mund ta quash vendi yt dhe kërkon t’i japësh ngjyrat dhe formën që streha jote ka pasur gjithmonë nëpër ëndrra.

“Më ka habitur edhe Besi me përkushtimin për shtëpinë”, thotë Xhensila duke na zbuluar anë të panjohura të tij, madje që as do t’i magjinonim. “Besi edhe gatuan shumë mirë. Nga ne të dy, ai ka më shumë fantazi në kuzhinë, i pëlqen të eksperimentojë, të miksojë shijet. Përgatit me të vërtetë pjata shumë të shijshme. Ndërsa unë jam më tepër tradicionale. Kur gatuaj unë në shtëpi, mundohem të përgatis recetat që më ka mësuar mami”, thotë ajo, e cila me 22 vitet e moshës, suksesin që ka arritur, marrëdhënine e ngushtë me familjen, që e konsideron gjënë më të shtrenjtë, por edhe zemrën e madhe për të ndihmuar edhe njerëz që nuk i njeh, është sigurisht vajza dhe nusja ideale që çdo familje do donte të kishte.

Gjithsesi, fatlumi i vërtetë është Besi, ashtu si edhe ai, është engjëlli i saj. Ia ka thënë në këngën e kushtuar, me titull “Engjëlli im”, notat e së cilës Xhensila i ka edhe tatuazh dhe ia thotë në të gjitha këngët e dashurisë, që, edhe pse kushdo mund t’i kthejë në hite të ndjenjave të veta, ajo ia kushton atij. Dhe, me kalimin e viteve, sa vijnë e tingëllojnë më të fuqishme, ashtu si dhe shija e dashurisë së tyre bëhet më e fortë dhe autentike. Ata nuk lejojnë të krijohet asnjë hendek që t’i ndajë, as nga ato xhelozitë problematike apo moskuptimet që mund të lindin për shkak të profesionit. “Ne e respektojmë shumë punën e njëri-tjetrit dhe i dimë limitet. Mendoj kjo na ndihmon që mos të kemi kurrë mosmarrëveshje”.

Dhe kjo, do funksiononte në çdo kohë. Dhe është kjo, bashkë me njeriun e veçantë që ata shohin te njëri-tjetrit, nuancat që dallojnë aty ku të tjerët shohin vetëm dy ngjyra të  thjeshta “djalin me humor” dhe “vajzën e bukur”, që i bën të ndihen pranë në çdo çast. Dhe nuk ka rëndësi nëse e dëgjojnë nga ai që e këndoi i pari, apo nga të tjerët që e kanë kënduar më vonë…Ata të dy e kuptojnë që “Është dashuri”.