Besimtarët ortodoksë dhe katolikë festuan në mesnatë duke gdhirë 25 dhjetori, festën e madhe të Krishtlindjeve. Besimtarët katolikë me qirinj në duar kryen ritet fetare këtë mesnatë në kishë mes lutjeve dhe urimeve për më shumë paqe, lumturi dhe harmoni.

Qindra besimtarë katolikë në Tiranë u mblodhën për meshën e Krishtlindjeve në Katedralen e Shën Palit në mesnatë, ndërsa shërbesa për besimtarët ortodoksë nis në orën 06:00 të 25 dhjetorit.

Kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos uroi të gjithë besimtarët dhe tha se, të gjithë mund të gjejnë veten, besim dhe shpresë për kapërcimin e problemeve te kremtimi i festës së Krishtlindjeve. Kryepeshkopi tha se Krishtlindja vjen si dritë paqeje e shprese ndërkohë që shqetësimi, dhimbja e frika janë përhapur në jetën tonë.