Nga Gëzim KABASHI

“Më 10 shtator 1945, me 5 mijë libra dhe revista, në mes gëzimit të pjesmarrësve u bë inagurimi i Bibliotekës së parë të qytetit, e cila filloi  nga funksionimi dhe që në ditët e para u frekuentua me dëshirë nga banorët dhe sidomos nga nxënësit e shkollave”.

Kështu e kujton në shënimet e veta ditën e parë të Bibliotekës së Durrësit themeluesi dhe drejtori i parë i saj, Vangjel Toçi.

Biblioteka e parë e Durrësit u formua në godinën ku ndodhet edhe sot, 75 vjet pas krijimit. Në 375 metra katrore, po aq sa ka edhe sot Biblioteka e qytetit, u vendosën ekzemplarët e parë të librave, gazetave dhe revistave.

Vetëm një sallë leximi për mijëra lexues të të gjitha moshave vijon të jetë shumë pak për qytetin 3000-vjeçar.

Megjithëse qyteti ka një popullsi 30 herë më të madhe se sa treçerek shekulli më parë dhe një shtrirje që shkon nga përroi i Agait në jug e deri në Kepin e Rodonit në veri, “porta  e dijes“, siç e quajnë punonjësit e saj Bibliotekën, vazhdon të mbijetojë me shumë vështirësive në të njejtin vend.

Ajo tashmë numëron mbi 125 mijë libra në gjuhën shqipe dhe 85000 në gjuhë të huaj, ndërsa një vend të veçantë zenë sektorët e Albanologjisë (1805 ekzemplarë) dhe 53 ekzemplarët e Antikuarëve.

Ditët e para

Bashkëkohësit e profesor Vangjelit thonë se merita e parë e tij në Durrës është krijimi i Bibliotekës së qytetit më 11 shtator të vitit 1945, së cilës ai i dhuroi edhe 1000 libra të tij personalë.

Duke u kerkuar bashkëqytetarëve të kontribuojnë për Bibliotekën, bibliofili bëhet një lajmëtar dhe shembull i kulturës për durrsakët. Vangjel Toçi krijoi katalogët e parë topografikë, alfabetikë, sistematikë dhe krahinorë për Durrësin.

Në vitet e drejtimit të bibliotekës, Vangjel Toçi  iu kushtua me pasion muzeumologjisë dhe veçanërisht specialitetit të arkeologjisë për të mos u shkeputur më prej tij.

Objektet e zbuluara në Nekropolin e qytetit zenë vend në stendat e bibliotekës, duke u bërë kështu eksponate të vërteta, të cilat i hapën rrugë krijimit të Muzeut të parë arkeologjik në vitin 1951.

Drejtorët e Bibliotekës së qytetit në vite:

Vangjel Toçi, (1945-1956);

Ora Karazi (1956-1961);

Pertef Kruja (1961-1978);

Hasan Ulqini (1978-1990);

Fatbardh Dedja (1990-1991);

Met Dervishi (1991-1992);

Pirro Dollani (1992-1995);

Flora Dervishi (1995-2013),

Mirela Ylli (2014- …)