Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, duket se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë shumë pranë uljes në tryezën e bisedimeve.
Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur se është i hapur për bisedime me Perëndimin, përfshi edhe SHBA-të, “për të siguruar interesat e Moskës”.
“Për të arritur qëllimet tona, Putini është i hapur për bisedime me të gjitha palët”, tha Kremlini.
Megjithatë, një zëdhënës tha se gjetja e një baze reciproke për bisedime ishte e vështirë, pasi sipas tij SHBA nuk i njeh “territoret e reja” në Ukrainë që Rusia pretendon si të sajat.
“Rruga më e preferuar është arritja e qëllimeve tona me mjete diplomatike”, shtoi ai.
I pyetur nëse Rusia është gati të largohet nga Ukraina pas gati 10 muajsh lufte, zëdhënësi thjesht tha: “Operacioni special ushtarak vazhdon”.
Kjo deklaratë vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se ai nuk kishte plane të menjëhershme për të kontaktuar zotin Putin, por do të fliste me të nëse ai tregonte interes për t’i dhënë fund luftës.
Zoti Biden tha se ai do ta bënte këtë vetëm në konsultim me aleatët e NATO-s.