6 gusht 2015 – Bienalja e muzikës klasike 2015, sot ndoshta kishte ditën më të veçantë të saj, teksa me pjesët e zgjedhura enkas ka ardhur pranë pacientëve dhe personelit të spitalit dhe maternitetit të Durrësit.
Ishin kryesisht pjesë të shkurtra të muzikës së zgjedhur klasike nga autorë të huaj që janë luajtur me mjaft ndjeshmëri dhe profesionalizëm nga familja Vlashi, Floriani në violinë, bashkëshortja e tij Rediana Lukaçi në violinçelë dhe dy djemtë e tij, Danieli në violinë dhe Martini në violinçelë.
Kjo performancë e shkëlqyer vjen për herë të parë në Durrës, ku muzika klasike del nga sallat tradicionale dhe vjen në një ambient krejtësisht të veçantë siç është spitali i Durrësit.
Në një intervistë të shkurtër për “Dyrrah”, violinisti i njohur durrsak Florian Vlashi shprehet se muzika duhet të dalë edhe jashtë sallave dhe të shpërndahet kudo te njerëzit atje ku ata janë dhe nuk kanë mundësi ta ndjekin atë.
Z. Vlashi përse pikërisht në një prej netëve te bienales së muzikës klasike zgjodhët spitalin e Durrësit?
Unë jetoj në një vend si Spanja ku kjo që bëjmë sot është një praktikë e zakonshme, ku muzika shkon në spitale, azile, shkolla etj. Muzika duhet të dalë edhe jashtë sallave tradicionale dhe të shpërndahet kudo te njerëzit. Ideja është të përcjellim muzikën tonë pranë njerëzve, atje ku ata nuk kanë mundësi të na ndjekin. Kjo quhet dhe muziko-terapi, pasi muzika jo vetëm kënaq, por shihet dhe si një mënyrë terapie dhe shërimi e praktikuar që në Greqinë e lashtë.
Cila ishte ndjesia që morët sot përpara pacientëve dhe mjekëve këtu?
Jam ndjerë mjaft mirë, shikoni, ka një afërsi të natyrshme midis muzikës dhe mjekut, kudo ku shkojmë mjekët na ndjekin dhe janë shumë të afërt me muzikën dhe e ndjejnë atë.
Si kanë shkuar ditët e para të bienales dhe a ka ngjallur te njerëzit interesin e pritur?
Gjithçka po shkon shumë mirë, çdo ditë ka pasur të veçantën e saj, shoh një interes mjaft të madh te publiku, sidomos nga të rinjtë që kanë qenë të shumtë dhe na kanë ndjekur.
Sa e veçantë dhe e ndjeshme bëhet muzika jashtë sallave dhe çfarë mesazhi përcjell te njerezit ?
Muzika kudo ku pëlqehet dhe ndjehet, përcjell mesazhe të veçanta. Kam ardhur këtu sot për t’i treguar dhe fëmijëve të mi se muzika percell jo vetëm kënaqësi dhe profesionalizëm, por dhe shihet dhe si mënyrë komunikimi mes njerëzve.
Intervistoi Monad Fama
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





