Rreth 200 biznese që zhvillojnë aktivitetin e tyre përgjatë autostradës Tiranë – Durrës kanë protestuar ditën e sotme ndaj aksionit të ndërmarrë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për mbylljen e hyrje-daljeve të rrezikshme nga Maminasi deri në qytetin bregdetar.

Pronarët e këtyre bizneseve kundërshtojnë me forcë aksionin e ARRSH, pas mbyllja e këtyre hyrje-daljeve i izolon ata tërësisht, pasi nuk ekziston një rrugë dytësore përgjatë këtij aksi.

Të kontaktuar nga “DurrësLajm”, drejtues biznesesh deklaruan se dy janë kërkesat që ata i kanë parashtruar ARRSH-së:

1. Të bëhet rrugë dytësore nga Vora deri tek Ura e Dajlanit

2. Të përcaktohen parametrat e hyrje-daljeve sipas standarteve rrugore dhe t’i lihet kohë bisnesit për të rregulluar hyrje-daljet.

Aksioni i ARRSH-së, i nisur më 27 nëntor, po përqendrohet në hapjen e kanaleve anësore të mbyllura nga bizneset në anë të rrugës si dhe po vendosen mbrojtëse anësore metalike për mbylljen e hyrje-daljeve, duke i lënë bizneset pa rrugë alternative për t’u futur në ambientet e tyre.

Përgjatë kësaj autostrade janë mbi 1000 biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre me rreth 20.000 të punësuar.

Lidhja e tyre me autostradën është jetike për zhvillimin e veprimtarisë së tyre.