Vetëm në Plazhin e Durrësit numërohen 36 lokale me pronarë shqiptarë nga Maqedonia dhe 60 të tjera me pronarë kosovarë duke luajtur kështu një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e biznesit turistik. Përgjithësisht lokalet janë marrë me qera, ndërkohë që nuk mungojnë rastet kur lokalet janë ndërtuar në sajë të investimeve të pronarëve të tyre. Miliona euro janë investuar për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për pushues e turistë

Teksa udhëton përgjatë vijës bregdetare nga Ura e Dajlanit- Plepa-Shkëmbi i Kavajës të bi në sy emërtimi i shumë lokaleve. Ato mbajnë emra të qyteteve kryesore në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri si dhe të ngjarjeve të rëndësishme me karakter kombëtar. Janë piceri, restorante, fast food, qebaptore, byrektore, hotele, motele. Shumë prej tyre janë hapur nga shqiptarë të Maqedonisë e të Kosovës të cilët kanë sjellë që andej edhe traditën e kuzhinës së tyre. Konkurenca me ushqimin dhe shërbimin e vendësve bëri që zona të njohë zhvillim të shpejtë. Me shtimin e lokaleve me pronarë shqiptarë maqedonas apo kosovarë vit pas viti u shtuan edhe pushuesit nga Kosova e Maqedonia, të cilët nisën të frekuentojnë masivisht bregdetin e Durrësit kryesisht pas çlirimit të Kosovës. Tërë bregdeti mori ngjyrë patriotike dhe kjo manifestohej gjithandej, në emërtimet e lokaleve, flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të Kosovës së bashku me flamuj të vendeve mike, muzikë nga trevat shqiptare, gatime tradicionale në lokale etj. Janë rreth 90 biznese të tilla që mbajnë emërtime si “Kosova”, “Besa e Gostivarit”, “Lidhja e Prizrenit”, “Drenica”, “Liburna”, “Kalaja e Tetovës”, “Mitrovica”, “Gjakova”, “Prishtina”, Jehona e Gostivarit”, “Pavarësia”…

Pronarët janë kujdesur që në lokalet, restorantet, baret, hotelet e piceritë e tyre të shërbejnë djem e vajza, gra e burra nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia si manifestim i patriotizimit ndër shqiptarë. Krahas kuzhinave tradicionale sollën edhe kulturën në të shërbyer dhe traditat e shumë trevave. Këto lokale dhe hotele janë vendosur në të dy anët e rrugës ndaj është e lehtë të orientohesh për t’i gjetur. Kjo u ka shërbyer shumë klientëve dhe pushuesve që vijnë nga zona të thella, një pjesë e të cilëve për herë të parë. Pronarë të këtyre bizneseve turistike tregojnë se shqiptarët e Maqedonisë dhe kosovarët kanë hapur aktivitete edhe në pjesë të tjera të bregdetit të Durrësit sidomos në Malin e Robit, Golem e Spille. Vetëm në Plazhin e Durrësit numërohen 36 lokale me pronarë shqiptarë nga Maqedonia dhe 60 të tjera me pronarë kosovarë duke luajtur kështu një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin e biznesit turistik. Përgjithësisht lokalet janë marrë me qera dhe mes palëve janë nënshkruar kontrata 10 apo edhe 20-vjeçare, ndërsa të tjerë kanë ndërtuar lokalet në saj të investimeve të tyre. Miliona euro janë investuar për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për pushues e turistë. Shumë prej këtyre lokaleve janë plotësisht të krahasueshme me lokalet që shtrihen në plazhet e vendeve të tjera italiane, greke, turke…

Kjo duket edhe në frekuentimin që u bëhen nga personalitete politike e diplomatike. Pronarët e restoranteve në Plazh tregojnë se për shkak të kuzhinës shumë të pëlqyer ata kanë prenotime të drekave e darkave me porositës nga Tirana, Shkodra, Elbasani, Fieri apo edhe ambasadorë, biznesmen të njohur, politikanë shqiptarë brenda e jashtë kufijve.