Në një intervistë për “DurrësLajm”, biznesmeni nga Emiratet e Bashkuara Arabe zbuloi disa detaje lidhur me ecurinë e deritanishme të projektit “Durrës Yacht Marina”, ku një muaj më parë nisi ndërtimi i dy godinave të para, në kalatën lindore të portit më të madh në vend.
Në të njëjtën kohë, biznesmeni Alabbar foli edhe mbi progresin e bërë në sitin e pallateve të reja në zonën e Spitallës, ku po ndërtohen rreth 1000 apartamente për të pastrehët e tërmetit.
Projekti Durrës Yacht Marina ka nisur rreth 1 muaj më parë. Jeni i kënaqur me ecurinë e tij?
- Ne jemi entuziastë për projektin dhe jemi të lumtur që tashmë ka nisur puna. Normalisht, për të nisur punën duhen bërë shumë përgatitje, prandaj jam shumë i gëzuar që kemi startuar dhe po bëjmë progres dhe do të kemi zhvillime të tjera.
Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha gjatë kësaj kohe?
- Ju e dini, të gjitha projektet e mëdha kanë vështirësi. Gjëja më e vështirë është që të jemi të sigurt që dizajni të jetë i duhuri, që të mund ta përshtasim atë. Ne dëgjojmë klientët por mendoj se po pëlqehet. Jemi të lumtur sepse që nga koha kur e ideuam, Shqipëria po zhvillohet ekonomikisht. Ndihemi me fat dhe kjo na bën të ecim me hapa më të shpejtë.
Kompania juaj ka prezantuar deri më tani 6 godinat e para nëse nuk gabohem. Kanë shfaqur më shumë interes për të blerë apartamentet klientët shqiptarë apo ata të huaj?
- Kemi një klientelë mikse. Kemi klientë shqiptarë, kanë shfaqur interes klientë amerikanë, gjermanë, italianë, shtetas nga Kosova dhe Arabia. Është një miksim interesant.
Ky projekt gjigand do të zhvillohet me faza. Kur do të përfundojë faza e para dhe sa godina do të ndërtohen gjatë kësaj faze?
- Nuk e di nëse mund t’i quajmë faza, pasi ne vazhdojmë të punojmë. Jam optimist se vitin e ardhshëm besoj do të prezantojmë 12 ndërtesa të tjera.
Dhe ku do të ndërtohen ato?
- Të projektosh një godinë, të bëhesh gati për të nisur ndërtimin zakonisht kërkon 9-10 muaj, sepse përfshihen projektimi, tenderimi, dhënia e lejes nga qeveria. Ky është procesi normal, që ndiqet.
Kur mendoni se do të përfundojë i gjithë projekti, i gjithë masterplani i zhvillimit të portit?
- Nuk dua të bëj ndonjë gabim, por kërkesat janë të larta, më shumë sesa pritshmëritë tona. Po ecim më shpejt me projektimet dhe ndërtimet, sepse pavarësisht planifikimeve tona, tregu na ofron më shumë sesa pritshmëritë tona. Kështu që ndihemi me fat.
Një projekt tjetër i rëndësishëm që ju keni në Durrës janë apartamentet që po ndërtoni për të pastrehët e tërmetit. Do të përfundojë këtë vit, apo vitin e ardhshëm?
- Kaluam aty para se të vinim këtu. Është thuajse drejt përfundimit. Edhe pak muaj kohë kërkon. Punimet e fundit po bëhen për hapësirat publike, parqet e lojërave etj. Thuajse çdo gjë është drejt përfundimit.
M.B.