Bizneset dhe kontabilistët ngrenë shqetësimin se urdhrat për bllokim të të gjitha llogarive, përfshirë edhe valutën, për rastet kur rezultojnë debitorë, po shkaktojnë vështirësi për mbarëvajtjen e aktivitetit. Problem janë edhe procedurat e zhbllokimit, që nuk realizohen automatikisht pas pagesës së detyrimit të pashlyer, por kërkon mbërritjen fizike të një urdhri nga institucioni tatimor pranë bankës. Propozohet rishikim procedurash.
Drejtuesi i një klinike fizioterapie rezultonte debitor për një detyrim të papaguar ndaj Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë së Tiranës (DTTV), në vlerën 4,800 lekë për vitin 2025.
Megjithatë, pavarësisht se në llogarinë e tij disponoheshin fonde me vlerë rreth 57,000 lekë, biznesi nuk po arrinte të kryente asnjë pagesë, përfshirë një transfertë prej 10 mijë lekësh për një zyrë kontabiliteti, pasi llogaria rezultonte plotësisht e bllokuar.
Nga pamundësia për kryerjen e një transaksioni, ai arriti të kuptojë bllokimin e llogarisë bankare. Pas interesimit të biznesit, rezultoi se bllokimi ishte kryer në bazë të një urdhri të lëshuar nga Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore, përmes Drejtorisë së Mbledhjes së Detyrimeve.
Pas kryerjes së pagesës të detyrimit të papaguar, llogaria e biznesit do të zhbllokohej vetëm pas mbërritjes fizike të urdhrit të zhbllokimit, nga taksat vendore në sistemin e institucionit financiar. Ai ngre shqetësimin se e gjithë kjo procedurë i mbajti të pezulluar për disa ditë kryerjen e pagesës për një palë tjetër.
Rasti i klinikës së fizioterapisë, jo vetëm ka nxjerrë në pah problematikat që bizneset hasin nga urdhrat e bllokimit të llogarive bankare për detyrime tatimore dhe vendore të papaguara, por ka hapur edhe debatin mbi nevojën për rishikimin e procedurave të bllokimit dhe zhbllokimit të llogarive.
Kontabilisti Armand Mala tha për “Monitor” se janë disa problematika që bizneset hasin, pas lëshimit të një urdhri për bllokim të llogarive bankare, nga administrata tatimore apo drejtoritë e tatim-taksave vendore, për mosshlyerje detyrimesh.
“Së pari, është bllokimi i llogarive bankare në çdo valutë, ku përveç bllokimit të shumës së detyrimit në llogarinë në Lek kërkohet edhe bllokimi për llogaritë në valutë. Me bllokimin e tyre, biznesit nuk i mundësohet konvertimi brenda llogarive në monedhë të huaj për të plotësuar shumën e papaguar, dhe për të kryer pagesën, por domosdoshmërisht duhet të paraqiten pranë institucioneve financiare për të kryer pagesën.
Së dyti, problem për biznesin mbetet edhe procedura e zhbllokimit, e cila nuk është automatike. Institucionet financiare për zhbllokimin e llogarive duhet të presin që në sistemin e tyre të mbërrijë fizikisht urdhri për zhbllokim llogarie.
Pra, edhe pasi nga subjektet kryhet pagesa për detyrimin e papaguar, llogaria zhbllokohet vetëm pas mbërritjes së urdhrit fizik pranë institucionit financiar. Si procedurat aktuale të bllokimit dhe zhbllokimit të llogarive krijojnë shpesh vonesa në pagesa dhe pengesa operacionale në aktivitetin e përditshëm të bizneseve”, thotë z. Mala.
Çfarë kërkohet në një urdhër-bllokimi të lëshuar nga taksat dhe tarifat vendore; Sa zgjasin procedurat për zhbllokim
Para nisjes së urdhrit për bllokim llogarie, nga Tatimet ezaurohen të gjitha procedurat për të njoftuar biznesin për pagesën e detyrimit të pashlyer.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) sqaron për “Monitor” procedurat që ndiqen para lëshimit të një urdhri për bllokimin e llogarive.
“Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, në funksion të mbledhjes së detyrimeve të papaguara nga subjektet debitore ndjek hapat e përcaktuar në Udhëzimin e përbashkët numër 17, datë 20.6.2022, ‘Për përcaktimin e uniformitetit minimal të standardeve procedurale për mbledhjen e detyrimeve të taksave e tarifave vendore’, duke përfshirë hapa të tillë si ‘njoftim kërkesë-pagesa’, ‘urdhër bllokimi i llogarive bankare’, ‘urdhër ekzekutimi’, ‘njoftim i përgjithshëm për vendosjen e barrës siguruese dhe hipotekore’ dhe vendosje të këtyre barrëve mbi pasuritë e luajtshme e të paluajtshme të subjektit debitor, etj. Procedura ndiqet sipas rendit dhe afateve të përcaktuara në këtë udhëzim”.
Më tej, DPTTV sqaron se në urdhrin e bllokimit të llogarive bankare për subjektet debitore, kërkohet bllokimi vetëm për vlerën e debisë që dërgon institucioni. Vlera e debisë që kërkohet të bllokohet jepet e detajuar, sipas llojit të taksës, ndërsa urdhri iu dërgohet 11 bankave në vend.
“Urdhri i bllokimit të llogarive bankare të taksapaguesit iu dërgohet të gjitha bankave të nivelit të dytë, në të cilat taksapaguesi, mund të ketë llogaritë e tij. Urdhri i bllokimit përmban domosdoshmërisht të dhënat e mëposhtme: a) identitetin e taksapaguesit (personit juridik, fizik tregtar, individ), llogaritë e të cilit preken nga dalja e këtij urdhri; b) shkakun e nxjerrjes së tij; c) shumën që bankat duhet të bllokojnë. Detyrimi është në vlerën totale të debisë, por edhe i detajuar sipas llojit të taksave dhe viteve”, shpjegon DPTTV.
Sipas një urdhri që “Monitor” disponon, të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore, 11 bankave të nivelit të dytë u është kërkuar bllokimi i llogarive bankare në masën e detyrimit të papaguar, ndaj një biznesi që rezulton debitor.
Urdhri i lëshuar parashikon bllokimin e llogarive në Lek dhe valutë në masën e debisë, kalimin e shumës së detyrimit në llogarinë e institucionit brenda tri ditëve dhe ndalimin e transferimeve jashtë vendit deri në shlyerje. Ai mbetet në fuqi edhe për llogari të reja të hapura nga subjekti.
Në urdhër thuhet se subjekti rezulton me detyrime të papaguara në shumën prej rreth 121,2 mijë lekësh ndaj Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, që përfshijnë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifën e pastrimit për vitin 2025, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat, të cilat vijojnë të llogariten deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.
Shqetësimi i biznesit lidhet me faktin se, edhe pasi ata kryejnë pagesën e detyrimeve dhe shlyejnë borxhet, llogaritë bankare nuk zhbllokohen menjëherë. Sipas tyre, bankat kërkojnë ende një urdhër fizik nga institucioni për të konfirmuar pagesën dhe për të hequr bllokimin, gjë që sjell vonesa dhe pengesa në aktivitetin e përditshëm.
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore thotë se procedura e ndjekur prej saj parashikon që, pas likuidimit të detyrimeve nga subjekti, zhbllokimi i llogarive bankare kryhet brenda dy ditëve pune. Njoftimi përkatës dërgohet në bankat e nivelit të dytë me shkresë fizike përmes postës.
“Për subjektet që kanë likuiduar detyrimet, procedohet me zhbllokimin e llogarive bankare, si rregull brenda dy ditëve punë. Shkresa dërgohet me postë në bankën/bankat përkatëse të nivelit të dytë”, pohon DPTTV.
Problematikat në praktikë
Kontabilisti Armand Malaj shpjegon se urdhër-bllokimi u dërgohet të gjitha bankave dhe zbatohet për të gjitha llogaritë e tatimpaguesit, përfshirë edhe ato në valuta të ndryshme.
Sipas tij, në praktikë, nëse një subjekt ka detyrime prej 300,000 lekësh, bankat bllokojnë shumën përkatëse ose të gjithë gjendjen nëse ajo është më e vogël. Problematika lind kur fondet janë të shpërndara në disa valuta dhe nuk mund të përdoren lirshëm për pagesa apo konvertime gjatë periudhës së bllokimit.
Nga ana tjetër, edhe pasi detyrimi shlyhet, llogaria mbetet e bllokuar deri në mbërritjen dhe regjistrimin fizik të urdhrit të zhbllokimit, gjë që mund të zgjasë 4–5 ditë, duke ndikuar në pagesa si pagat e punonjësve apo shpenzimet operative.
“Një subjekt ka një borxh tatimor të prapambetur prej 300,000 lekësh, për të cilin ka filluar mbledhja me forcë dhe organet tatimore kanë lëshuar urdhrin e bllokimit, ku u kërkohet bankave të bllokojnë shumën prej 300,000 lekësh për llogari të organit tatimor.
Sipas urdhrit të bllokimit duhet që banka të bllokojë shumën deri në 300,000 lekë. Nëse subjekti në llogari ka një shumë më të vogël sesa 300,000 lekë atëherë do të bllokohet e gjithë shuma. Nëse subjekti ka gjendje më shumë sesa 300,000 lekë, duhet të bllokojë vlerën 300,000 lekë.
Supozojmë se subjekti ka llogari bankare vetëm në një prej bankave të nivelit të dytë Banka X, në këtë bankë ai ka llogari të hapura në Lek, në USD dhe në Euro.
Subjekti në momentin e mbërritjes së urdhër-bllokimit, ka gjendje në llogari 180,000 lekë, 1500 USD (për thjeshtësi supozojmë kursin 1 USD = 100 lekë) si edhe 1,300 Euro (kursin sërish e supozojmë 1 Eur= 100 lekë). Praktikisht, subjekti ka fonde mjaftueshëm për të paguar detyrimin tatimor madje ka më tepër sesa këto fonde.
Në këto kushte, subjekti dëshiron të paguajë pagat e punonjësve 150,000 lekë dhe më pas të paguajë edhe detyrimin tatimor.
Konkretisht, subjekti në aplikacionin online të bankës ku kryen gjithmonë veprime, dëshiron të konvertojë shumën në USD dhe Euro në Lek, për të paguar pagat e punonjësve dhe detyrimin tatimor. Këtu fillojnë problematikat.
Së pari, online tashmë subjekti nuk mund të kryejë asnjë veprim, pasi për secilën prej monedhave është një urdhër-bllokim aktiv (pra jo për gjithë gjendjen, por për secilën prej monedhave) dhe kjo bie në kundërshtim me Nenin 90, pika 1, në ligjin “Për procedurat tatimore”.
Së dyti, subjektit nuk i lejohet të kryejë as konvertim midis monedhave pasi llogaria figuron e bllokuar. Nëse zgjidh të kryejë konvertim, duhet të paraqitet në bankë, ku edhe shërbimi i klientit në bankë nuk e kryen direkt veprimin, por i bën një kërkesë nivelit më lart dhe vetëm me miratimin e kërkesës, kryen konvertimin.
Për aq kohë sa fondet nuk po lëvizin jashtë llogarisë bankare të subjektit, nuk ka arsye përse subjekti të pengohet të bëjë konvertime midis monedhave.
Së treti, subjekti paraqitet në bankën e vetme ku ka llogarinë, bën konvertimin pasi konfirmimit sipas pikës 2 (pra konverton 1500 USD në 150,000 Lekë dhe 1300 Euro në 130,000 Lekë). Gjendja e llogarisë pas konvertimit (460,000 Lekë, 0 Eur, 0 USD) kryen pagesën e detyrimit tatimor për të cilin llogaritë janë bllokuar (300,000) dhe dëshiron që me shumën e mbetur 460,000-300,000=160,000 të paguajë pagat e punonjësve (150,000 Lekë).
Në dukje duhet të ishte në rregull, por praktikisht nuk ndodh kështu. Pasi edhe pse e pagoi detyrimin tatimor, llogaria e tij do të mbetet e bllokuar, deri në momentin që pranë drejtorisë së saj, do të mbërrijë fizikisht urdhri i zhbllokimit që hidhet në sistem. Kjo procedurë nuk ndodh më shpejt sesa 4-5 ditë.
Së katërti, jemi në kushtet kur subjekti ka kryer pagesën e detyrimit tatimor, ka gjendje për të paguar pagat, por nuk mund ta kryejë deri në mbërritjen fizike të urdhrit. Për më tej, edhe nëse derdh në llogari shumën prej 1000 eurosh apo 1000 USD ato do të qëndrojnë të bllokuara”.
Qëndrimi i institucionit financiar
Një nga bizneset ka dërguar ankesë pranë një institucioni bankar për bllokimin e shumës së debisë edhe në llogaritë në valutë. Në përgjigjen e bankës theksohej se veprimet kryhen në përputhje me urdhrat e autoriteteve kompetente dhe legjislacionin në fuqi.
“Në cilësinë e një institucioni financiar, luajmë rol pasiv në procesin e zbatimit të urdhrave të bllokimit apo zhbllokimit të llogarive bankare. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, banka është e detyruar të zbatojë urdhrat e lëshuar nga organet kompetente.
Për çdo paqartësi apo ankesë në lidhje me përmbajtjen dhe zbatimin e urdhrit, ju sugjerojmë të drejtoheni pranë institucioneve përkatëse, ose pranë gjykatës kompetente”, – thuhet në përgjigje.
Ndikimi në biznes, kërkesat për ndryshimin e procedurave
Kontabilistët dhe bizneset propozojnë që në bashkëpunim mes administratës tatimore dhe bankave, të krijohen mekanizma më të shpejtë dhe automatikë për zhbllokimin e llogarive pas pagesës së detyrimit, pa pasur nevojë për procedura fizike dhe vonesa administrative.
Problem mbetet edhe përmbajtja e urdhrit për bllokimin e llogarive edhe në valutë, përveç llogarisë në Lek të biznesit.
Sipas kontabilistit Armand Mala, këto procedura, veçanërisht ajo për zhbllokimin e llogarive, po krijon vështirësi te bizneset në menaxhimin e likuiditetit dhe aktivitetit të përditshëm.
Ai thotë se përmirësimi i procedurave për arkëtimin e detyrimeve të papaguara, do të lehtësonte aktivitetin ekonomik dhe do të reduktonte barrën mbi bizneset që përballen me vështirësi të përkohshme likuiditeti.
“Është shumë e thjeshtë për të pasuar përgjegjësinë, kur krijohet një situatë e tillë, Banka – Tatimeve e Tatimet – Bankës, por ata që penalizohen janë taksapaguesit. Për disa shkresa burokratike, taksapaguesit i bllokohet mbarëvajtja e aktivitetit, dhe vlen të përmenden që një pjesë e mirë e tatimpagueseve gjenden në këtë situatë për mungesë likuiditeti e jo se dëshirojnë të mos paguajnë detyrimin tatimor.
Organi tatimor, në marrëveshje me bankat, pa e cenuar mbrojtjen e detyrimit tatimor, duhet të gjejnë mekanizma të tillë që të mos bëhen barrë për taksapaguesin në asnjë moment, përkundrazi ta lehtësojnë e t’i vijnë në ndihmë kur ndodhet në situata jo të mira likuiditeti.
Duhet të bëhen ndryshime të praktikave e marrëveshjeve midis Tatimeve e Bankave, me kryerjen e pagesës, banka të mos presë ardhjen fizikisht të urdhër-bllokimit, por të procedojë menjëherë me heqjen e urdhrit që e mban të bllokuar llogarinë.
Po ashtu, duhet të ndryshojnë përmbajtjet e urdhrave, ku duhet të hiqet kërkesa për bllokim të llogarive bankare edhe në valutë të huaj”, nënvizon kontabilisti Mala.
Edhe ekonomistë të tjerë pohojnë se kjo është një problematikë reale dhe zgjidhja nuk kërkon domosdoshmërisht ndryshime të mëdha ligjore, por më shumë koordinim dhe modernizim praktik të proceseve.
Sipas tyre, pritja për “urdhrin fizik” është një praktikë e vjetruar. Në shumicën e vendeve, pagesat konsiderohen të vlefshme në momentin që konfirmohen elektronikisht nga sistemi bankar. Sipas ekonomistëve, mbajtja peng e procedurave për një dokument fizik dëmton bizneset në mbarëvajtjen e aktivitetit.
Për këtë shqetësim, Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore u shpreh se, bazuar në kuadrin ligjor në fuqi (Ligji nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar), institucioni ka vetëm kompetenca zbatuese dhe jo politikëbërëse apo vendimmarrëse.
Baza ligjore për bllokimin e llogarive
Bllokimi i llogarive bankare kryhet në bazë të nenit 90 të Ligjit nr. 9920 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i cili përcakton se administrata tatimore urdhëron bankat të bllokojnë shumën më të vogël midis detyrimit dhe gjendjes në llogari.
Si më sipër është referenca ligjore mbi të cilën ndodh bllokimi i llogarive bankare, është pjesë e kapitullit XI të ligjit “Mbledhja me Forcë e Detyrimit Tatimor”. Pra ligji përcakton qartë se çfarë shume duhet të bllokohet: “të bllokojë një shumë, e cila duhet të jetë më e vogla ndërmjet:
a) shumës që kërkohet të mbahet; b) shumës që rezulton në atë çast në llogarinë bankare të tatimpaguesit.”
“Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, në përputhje me nenin 89 të këtij ligji, për njoftimin dhe kërkesën për pagesë, administrata tatimore, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë përgjegjëse për mbledhjen e detyrimeve të papaguara apo drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, apo titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore, i kërkon çdo banke shqiptare të nivelit të dytë, sipas përcaktimeve në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat me postë rekomande ose në rrugë elektronike, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të bllokojë një shumë, e cila duhet të jetë më e vogla ndërmjet:
a) shumës që kërkohet të mbahet;
b) shumës që rezulton në atë çast në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
Shuma e bllokuar kalon për llogari të administratës tatimore sipas procedurës së përcaktuar me udhëzim të Ministrit të Financave”, përcaktohet në ligj.
Çfarë të dhënash përmban një urdhër bllokimi
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore ka lëshuar një urdhër për bllokimin e llogarive bankare të një biznesi, i cili u është drejtuar 11 bankave të nivelit të dytë.
Sipas urdhrit, subjekti rezulton me detyrime të papaguara në shumën totale prej 121,296.59 lekësh ndaj Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, që përfshijnë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe tarifën e pastrimit për vitin 2025, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat.
Këto të fundit vijojnë të llogariten deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.
Në bazë të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në fuqi, urdhri parashikon bllokimin e llogarive bankare në Lek dhe në valutë deri në masën e detyrimit të papaguar.
Gjithashtu, kërkohet që shuma e detyrimit të kalojë në llogarinë e institucionit përkatës brenda tri ditëve nga marrja e urdhrit, si dhe ndalohet transferimi i fondeve jashtë vendit deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve. Urdhri ka efekt edhe për llogari që mund të hapen pas daljes së tij.
“Në mbështetje te shkronjës “b”, pika 4, të Nenit 89 dhe Nenit 90 të Ligjit me nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Udhëzimit me nr. 24, datë 02.09.2008, të Ministrit të Financave ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar; Vendimit me nr. 158, datë 26.12.2019, të Këshillit Bashkiak të Tiranës ‘Për miratimin e sistemit të taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës’, të ndryshuar si dhe në bazë të të dhënave që disponojmë nga sistemi i taksave dhe tarifave vendore:
- Bllokimin e llogarive bankare në Lek dhe në valutë të subjektit debitor X në masën e debisë prej 121,296.59 lekësh ndaj DPTTV.
- Kalimin brenda tri ditëve nga marrja e këtij urdhri të shumës së debisë prej 121,296.59 lekësh të përcaktuar në pikën “1” në numrin e llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore sipas numrit të llogarisë tonë, pranë degës së bankës tuaj.
- Ndalimin e transferimit jashtë shtetit të shumës së debisë të depozituar në llogarinë e subjektit debitor, pranë bankës suaj pasi ka detyrime të papaguara ndaj DPTTV për shumën: 121,296.59 lekë. Ky urdhër-bllokim ka efekt dhe në rastin kur subjekti taksapagues çel llogari bankare pas daljes së këtij Urdhër-Bllokimi”, specifikohet në urdhër.
Si veprojnë tatimet me mbledhjen e detyrimeve të papaguara, pse nuk ka ankesa nga bizneset
Ndryshe nga administrata e taksave vendore, për arkëtimin e detyrimeve të papaguara, bizneset pohojnë se administrata tatimore nuk procedon në mënyrë të menjëhershme me lëshimin e urdhrave për bllokimin e llogarive bankare.
Sipas kontabilistëve, bizneseve u dërgohen një sërë njoftimesh dhe kërkesa për detyrimet e papaguara në sistemin e e-Filing. Këto njoftime nuk përmbajnë urdhra për bllokimin e llogarive. Përveç njoftimeve dhe kërkesave për të paguar detyrimin e pashlyer, bizneset kontaktohen edhe me telefon nga inspektorët tatimore, për të vendosur një afat për mundësinë e shlyerjes së detyrimit.
Përveç njoftimeve për shlyerje të detyrimeve, bizneset sqarojnë se tatimet presin edhe konfirmimin prej tyre për marrje të njoftimeve.
Sipas kontabilistit Armand Mala, për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore, Administrata Tatimore në çdo rast merr në konsideratë analizimin dhe vlerësimin e riskut, çka do të thotë se merr në analizë nëse tatimpaguesi do të paguajë detyrimin e tij, cila janë afatet që mund t’u përmbahet për shlyerje të detyrimeve, cilat janë mundësitë e financiare.
Kontabilisti Armand Mala shprehet se nuk janë hasur raste të lëshimit të urdhrave për bllokim llogarish për detyrime të papaguara me vlerë nën 100 mijë lekë, siç ndodh me tatimet vendore.
Në nëntor të 2024-s, një sërë biznesesh në Tiranë ngritën shqetësimin për bllokim të llogarive nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave Vendore me arsyetimin e mospagimit brenda afatit të taksës shtesë së ndërtesës për vitin 2023. Detyrimi shtesë për taksën e ndërtesës u llogarit pas hyrjes në fuqi në muajin korrik 2023 të vendimit për rritjen e çmimeve të referencës për Tiranën.
Rritja e tyre, automatikisht rrit detyrimin e biznesit për taksën e ndërtesës për objektet që përdoren për qëllime tregtare, pasi baza e llogaritjes së taksës është vlera e ndërtesës sipas çmimeve të referencës. Për shkak të mospagimit në kohë të detyrimit shtesë bizneset u penalizuan me gjoba dhe me urdhra për bllokim llogarie.
Në atë periudhë, bizneset ngritën shqetësimin se kjo masë ishte bërë pa të drejtë, pasi ata nuk ishin njoftuar prej institucionet për detyrime të papaguara. Nga institucioni u sqarua se për detyrimin shtesë bizneset ishin njoftuar nëpërmjet e-Albania./MONITOR





