TIRANE– Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka reaguar sot lidhur me raportin e Global Financial Integrity (GFI), që tregonte se në gjashtë vite nga Shqipëria kanë dalë 1.3 miliardë dollarë.

Bode ka deklaruar se raporti është hartuar mbi të dhëna zyrtare të publikuara nga vetë qeveria dhe akuzat e opozitës janë të pavërteta. “Raporti është tërësisht formal. Të dhënat janë publikuar zyrtarisht nga qeveria”,- u shpreh ministri.

“Shqipëria ndodhet në vendin e 106. Vetë renditja dëshmon për një raport tërësisht normal. Jemi në vendet e fundit në këtë tregues negativ. Po ta shikojmë në kontekst rajonal. Serbia në vendin e 16 me fluks negativ të dalje neto të parave prej 5 miliardë dollarësh në vit, Bullgaria me 1.5 miliardë, Kroacia me 1.5 miliardë, Mali i Zi me 1 miliardë në vit”,- ka shtuar Bode.

Përveç kësaj Bode ka shtuar se, “Shqipëria në raport ndodhet në pozicion të nderuar” dhe se, “raporti nuk bazohet në flukse evazioni të papërfshira në bilancet e vendit”.

GFI, që përdor të dhënat zyrtare të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtare, vlerëson se vetëm në vitin 2008 nga Shqipëria janë transferuar në mënyrë të paligjshme 405 milionë dollarë ndërsa mesatarisht 131 milionë dollarë kanë dalë çdo vit jashtë vendin, duke i shpëtuar taksimit.

Gjithsej në gjashtë vite kanë ‘fluturuar’ jashtë vendin 1.311 milionë dollarë. Edhe në këtë raport, ashtu si në atë të Transparency International, Shqipëria renditet krah vendeve si Ruanda, Sri Lanka, Samoa etj.