TIRANE – Borxhi i jashtëm i ekonomisë u rrit me 600 milionë euro në tremujorin e tretë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se detyrimet e e vendit tonë arritën në fund të tremujorit të tretë në 5 miliardë euro nga 4.4 miliardë që ishin në shtatorin e 2011-ës. Shifra përfshin borxhin e jashtëm të qeverisë, por pjesa më e madhe e saj vjen nga sektori privat, si hua që bizneset shqiptare kanë marrë nga jashtë. Bankat janë ato me pjesën më të madhe. 

Krahasuar me rajonin Shqipëria mbetet një nga vendet me borxhin e jashtëm më të ulët, që për ekspertët ka qenë dhe një nga faktorët që kanë mbrojtur ekonominë nga një krizë më e rëndë. Por shifra e tij që ka mbërritur tashmë në mbi 50 për qind të prodhimit kombëtar po vjen në rritje nga viti në vit. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy vitet e fundit, detyrimet e Shqipërisë ndaj vendeve të tjera të botës janë rritur me mbi 1.3 miliardë euro.