Home Office, Ministria Britanike e Punëve të Brendshme, nisi këtë të diel një fushatë publicitare në rrjetet sociale për të dekurajuar emigracionin ilegal drejt Britanisë së Madhe të shqiptarëve. Qëllimi i kësaj fushate, thotë Home Office, duke përdorur histori reale nga viktimat e trafikut, synon t’i tregojë  njerëzve rreziqet nëse ata zgjedhin të lidhen me trafikantët e qenieve njerëzore.

Këto reklama në gjuhën shqipe synojnë po ashtu të kundërshtojnë mitet dhe diziformacionet e shpërndara nga kriminelët për të mashtruar njerëzit përmes reklamimit të kalimit ilegal në Angli me gomone ose kamionë.

Kjo fushatë e re thotë Home Office, vjen si një pjesë e bashkëpunimit më të gjerë të qeverisë  angleze me Shqipërinë për të penguar njerëzit që bëjnë kalime të rrezikshme me varka të vogla.

“Marrëdhënia e fortë e  bashkëpunimit me Qeverinë Shqiptare ka mundësuar që fluturimet e kthimit të emigrantëve ilegal  kryhen pothuajse çdo javë. Të enjten e 16 Janarit, 31 shqiptarë pa të drejtë qëndrimi në Britaninë e Madhe u riatdhesuan”, thekson Home Office. Me të tillë avionë dëbohen edhe ata shqiptarë pasi kanë përfunduar dënimet për vepra të ndryshme kriminale në shtetit ishull.

Komandanti i Sigurisë Kufitare, Martin Hewitt, tha: “Kjo fushatë ndihmon për të thyer modelin e biznesit të këtyre kriminelëve dhe mbron njerëzit që të mos bien viktimë e gënjeshtrave të tyre të rrezikshme, duke siguruar kufijtë tanë si pjesë e Planit të Qeverisë për Ndryshim”.

Duke punuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë si Shqipëria, – thotë Martin Hewitt, -ne po luftojmë  bandat kriminale në çdo hap, duke ndërprerë operacionet e tyre përtej kufijve dhe duke sjellë autorët para drejtësisë. Komunikimet janë një pjesë kyçe e kësaj pune, duke dërguar një mesazh të qarta për migrantët e mundshëm se këtyre trafikantëve nuk mund t’u besohet.”

Në tetor të vitit të shkuar , u arrit një marrëveshje midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e tyre ekzistues për të luftuar krimin e organizuar dhe emigracionin e  parregullt, pas bisedimeve produktive midis Sekretares së Brendshme, Yvette Cooper dhe ministrit të Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha.