Qeveria laburiste e qendrës së majtë në Britani ka njoftuar se do ndryshojë rregullat e parashikuara në Ligjin për Sigurinë e Kufirit, Azilit dhe Imigracionit, i miratuar nga konservatorët që i mundën në zgjedhjet e korrikut të kaluar.
Por opozita po akuzon qeverinë e Kryeministrit Stamer se po e shndërron Britaninë në një vend “me rregullat më të buta të Evropës”, pasi po kërkon të zhbëjë ligjet e projektuara nga konservatorët që e bënin thuajse të pamundur që emigrantët ilegalë të bëheshin shtetas britanikë.
Ndër rregullat që do ndryshohen janë ato që i trajtonin azilkërkuesit si të rritur nëse refuzonin ti nënshtroheshin verifikimeve shkencore dhe mjekësore, për të provuar moshën e vërtetë të tyre, përmes skanimit të eshtrave të gjurit dhe grafive të duarve dhe kyçeve apo analizës së dhëmbëve. Momantalisht kur një azilkërkues vjen me gomone, dy punonjës të Home Office bëjnë vlerësimin nga “aparenca fizike dhe sjellja”, ndërkohë që vendet evropiane si Franca dhe Gjermania bëjnë teste mjekësore.
Kritikët kanë frikë se zbutja e ligjeve në këtë pikë do çojë në atë që më shumë emigrantë të pretendojnë se janë minorenë në përpjekje për të fituar statusin e refugjatit. Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, 1300 emigrantë ilegalë janë zbuluar se kishin falsifikuar moshën. Por në fakt ndër ligjet e propozuara emigrantët që pengojnë operacionet e shpëtimit në La Mansh derisa mbërrijnë në ujërat britanike do mund të dënohen deri në 5 vjet heqje lirie.
Po ashtu ata që shesin apo transportojnë pjesë apo pajisje gomonesh që përdoren për kalimet në La Mansh mund të dënohen deri në 14 vjet burg. Gjithashtu, kompentenca për të ndaluar fëmijët dhe emigrantët që të kërkojnë mbrojtje për shkak të skllavërisë moderne, do qëndrojë si pjesë e ligjit edhe pse Laburistët ishin kundër para zgjedhjeve.
Qeveria e re laburiste është e dëshpëruar që të shohë progres në luftën kundër emigrimit të paligjshëm, dhe masa të tilla të zbutura apo edhe të lëna në fuqi, edhe pse tentojnë të luftojnë këtë krim, sërish duket se nuk adresojnë arsyen kryesore përse emigrantët pasi kalojnë tërë Evropën e sigurt, insistojnë të mbërrijnë vetëm ne Britani, me çdo çmim, shpesh edhe duke rrezikuar edhe jetën.
Dhe trajtimi që iu bëhet emigrantëve dhe lehtësirat financiare dhe akomoduese, mbeten një ndër arsyet e qenësishme të mbetjes së Britanisë vendi me fushën manjetike më të fuqishme për emigrantët, ndër vendet e Evropës.