Itali, 31 korrik 2014 – Edgar Çani vazhdon të jetë në kërkim të një skuadre në Serinë A ose B, pasi nuk dëshiron të kthehet në Lega Pro. Sulmuesin nuk e kanë bindur ofertat e deritanishme nga skuadrat e Lega Pro, me Salernitanën që kishte kërkuar me ngulm lojtarin kuqezi.
Meqenëse klubi është në pronësi të Klaudio Lotitos, president njëkohësisht edhe i Lacios, ka qenë vetë Igli Tare që i ka bërë propozimin sulmuesit shqiptar për t’iu bashkuar ekipit në kategorinë e tretë italiane.
Çani është shqetësuar se me zbritjen një kategori më poshtë, për të do të mbylleshin përfundimisht dyert e kombëtares. Por mediat italiane raportojnë se në këtë çështje ka ndërhyrë edhe trajneri Xhani de Biazi.
Ky i fundit i ka siguruar futbollistit se aktivizimi në Lega Pro nuk do të përbënte një pengesë për grumbullimin në kombëtare. Megjithatë, Çani dje i ka kthyer një përgjigje negative Salernitanës, duke i bërë të ditur drejtuesve të kësaj skuadre se do të presë një ofertë më të mirë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





