Ndërsa shumica e zyrtarëve evropianë munguan në ceremoninë mortore të udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, Serbia dërgoi në Teheran ministrin Boris Bratina si të dërguar të Qeverisë.

Kështu, në ceremoninë mortore të liderit iranian, i cili u vra në ditën e parë të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit, më 28 shkurt, Serbia kishte përfaqësuesin e saj përkrah Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Gjeorgjisë, Turqisë, Kinës, Pakistanit, Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera.

Në llogarinë zyrtare të ministrit Bratina në Instagram u njoftua se ai kishte shkuar në Teheran si i dërguar i Qeverisë së Serbisë. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit e prezantoi atë si të dërguarin special të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Vetë ministri Bratina tha se e “kishte për detyrë të shkonte” dhe se në Iran nuk kishte qenë “as për ta lavdëruar, as për ta kritikuar” pushtetin iranian.

Ky veprim, për të cilin autoritetet serbe nuk kanë shpjeguar publikisht se kush e ka miratuar dhe pse është bërë, vjen në kohën kur Beogradi përpiqet t’i thellojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por, në të njëjtën kohë, vazhdon të refuzojë harmonizimin e politikës së tij ndaj Iranit me atë të Bashkimit Evropian.

Beogradi zyrtar ka mbajtur marrëdhënie miqësore me regjimin iranian gjatë viteve të fundit. Kjo ka ndodhur pavarësisht se Irani ka qenë nën sanksione ndërkombëtare, për shkak të programit të tij bërthamor, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe represionit ndaj protestuesve.

Uashingtoni, ndërkohë, i ka dhënë Teheranit “një javë kohë” për ceremoninë mortore, përpara rifillimit të bisedimeve indirekte për zbatimin e marrëveshjes kornizë të paqes.