Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso ngriti pyetjen se përse SPAK nuk i është drejtuar sërish Kuvendit me një tjetër kërkesë për heqjen e imunitetit të ish zëvendës kryeministres Belinda Balluku, duke marrë parasysh se pozita e saj penale është rënduar, pasi përveç akuzës së shkeljes së barazisë në tendera, ajo dyshohet se ka kryer edhe korrupsion dhe pastrim parash.
Në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku është i pranishëm edhe kreu i SPAK, Klodian Braho, ai theksoi se PS në kërkesën e parë u fsheh pas gishtit, duke thënë se nuk ia heq imunitetin për shkelje të barazisë në tendera, duke shtuar se tani që dyshohet për akuza të tjera, SPAK duhet të veprojë ndaj Ballukut.
Ai gjithashtu përmendi faktin se ndaj bashkëpunëtorëve të ish zëvendës kryeministres janë ngritur gjithashtu akuza, dhe se asaj i kanë sekuestruar asete të fshehura, duke iu referuar vilës së sekuestruar në Dhërmi.
“Fakti që ju e patë të arsyeshme t’i drejtoheshit Kuvendit tregon se institucionit tuaj, ka pasur indicie të mjaftueshme jo vetëm për konsumimin e veprave penale të rënda nga ish zëvendës kryeministrja por edhe indicie që ndjekja penale do të dëmtohej nga mosdhënia e autorizimit për heqjen e imunitetit sepse do të kishte mundësi të të ndërhynte në hetime, të intimidonte dëshmitarët, të prishte provat ose rrezik i ikjes. Pra do të thotë se ishit të bindur se ndikohej hetimi juaj nëse nuk i hiqej imuniteti.
Kuvendi, ne kemi bërë të njohur qëndrimin tonë se pa të drejtë i mohoi kërkesën për heqjen e imunitetit duke u fshehur pas gishtit se për këtë akuzë nuk procedojmë t’ia heqim, për akuza të tjera më të rënda mund t’ia heqim. Kjo sjellje e Kuvendit ka dëmtuar efektivisht ndjekjen penale dhe unë di nga deklaratat tuaja publike apo akte të marra nga mediat, hetimet kanë vazhduar dhe pozita e ish zëvendës kryeministres është rënduar.
Pra bashkëpunëtorët e saj iu është komunikuar akuza më të rënda për grup të strukturuar kriminal, korrupsion, është vepruar me sekuestrime asetesh që janë të ish zv kryeministres të fshehura. Pra është rënduar pozita dhe pavarësisht kësaj ende nuk i jeni drejtuar kuvendit për heqjen e imunitetit. Si duhet interpretuar nga ana jonë? Është kjo sjellje refraktare e kuvendit që iu step të drejtoheni kuvendit me një kërkesë tjetër, apo ka arsye të tjera në lidhje me hetimin që duhet të jetë më i plotë.”, theksoi ai.





