Prillin e këtij viti, kohë kur debati për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri ishte në pikun e tij, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe partia që ai përfaqëson “Demokracia e Re” propozuan zyrtarisht emrin e Belerit si kandidat për euro-deputet.

Lajmi ngjalli debate në të dyja anët e kufirit, ku mes fqinjëve ekziston teknikisht ende Ligji i Luftës që nga viti 1940, kujton DW. Mitsotakis u kritikua lidhur me këtë kandidim edhe nga partia më e madhe opozitare e vendit të tij, SYRIZA. Kjo është hera e parë që një kandidat për në Parlamentin Europian ndodhet në qeli. ”

Ky është një akt i paprecedent, i cili nuk ka ndodhur më parë dhe nuk besoj se do të sjellë ndonjë rezultat në pritshmëritë e Mitsotakis për të zgjuar votat e fjetura nacionaliste greke e aq më tepër për të realizuar lirimin e zotit Beleri nga burgu. Në qoftë se një pjesë e opozitës bëri gabim kur e kandidoi Belerin për kryebashkiak të Himarës, Mitsotakis po bën një gabim të dytë edhe më të madh, duke e kandiduar atë për deputet të Parlamentit Europian. Ky akt politik mund t’i kthehet në bumerang. Ka qindra figura të tjera të nderuara që kanë shtetësi shqiptare dhe greke, të cilët mund të përzgjidheshin si kandidatë dhe do ta ndihmonin më shumë zgjerimin e bazës elektorale të kësaj partie, sesa një personazh problematik si Beleri” – tha pwr DW Arben Çejku, ish-ambasador, drejtues i “Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë”.

Panajot Barka, i cili ka punuar prej vitesh si korrespondent nga Shqipëria për Agjencinë Greke të Lajmeve, thekson se Beleri si individ dhe i paraqitur si mbrojtës i të drejtave të minoritetit etnik grek, përdoret nga partia e kryeministrit grek për të krijuar një mburojë penguese të rrjedhjes së votave të kësaj partie drejt së djathtës ekstreme. Pra, një çështje e cila u promovua si një “aset kombëtar grek”, përdoret për qëllime të brendshme politike dhe ideologjike, shprehet Barka, duke nenvizuar se kjo ka ndezur një debat të fortë politik në Greqi.

Ka një pasojë të dyfishtë edhe për minoritetin grek në Shqipëri. Së pari, si ai, ashtu edhe grupimi politik që përfaqëson, nuk kanë mbështetjen reale të këtij minoriteti. Por edhe sikur ta pranojmë këtë, atëherë mbrojtja e këtyre të drejtave ndodh këtu, pranë këtij minoriteti. Pra e kërkon atë këtu dhe jo duke e eksportuar jashtë tij, qoftë edhe në Parlamentit Evropian. Së dyti, qëllimi i publikuar i Demokracisë së Re për kandidimin e tij, e identifikon Belerin me ekstremin e djathtë, madje me ndikim të rëndësishëm atje. Kjo e dëmton shumë minoritetin!” – thotë Barka për Deutsche Wellen.