Nga Osman Metalla*

Ministri i jashtëm Grek Dendias dje ka deklaruar se çështja e detit do të zgjidhet me presidentin e ri Begaj. Një deklarim i cili të bën të mendosh se tashmë gjithshka është zgjidhur politikisht ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë dhe hallka e vetme që pengon është Presidenti aktual.

Që në krye të herës është thene se cështja e delimitimit të hapësirave detare është një çështje thellësisht teknike dhe kërkon ekspertizë të thelluar. Natyrisht politika ka rolin e saj në vullnetin që tregon në zgjidhjen e këtyre çështjeve pasi pa vullnet politik nuk fillohen negociatat apo nuk procedohet me tej, por kaq. Njëkohësisht edhe vullneti politik nuk është as çështje individi dhe as çështje dëshirash, por është shumë më tepër se kaq. Presidenti i Republikës është kryetari i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Qëndrimi i Presidentit ndaj çështjeve të tilla që prekin interesat kombëtare të RSH nuk mund të ndryshojë me ndërrimin e Presidentit.

Aktualisht nuk mendoj se Presidenti ka penguar negociatat, veçse ka qenë garant në mos kapërcimin e procedurave dhe garantimin e një procesi i cili në fund të prodhojë rezultatin më të mirë në favor të Republikës së Shqipërisë. Për më tepër fakti që pala Greke e sheh si pengesë, më shton bindjen se Presidenti ka ushtruar funksionin e tij Kushtetues në mbrojtje të ineresave të vëndit. Ndaj dhe nuk mendoj se ndryshimi i Presidentit, do të rezultojë në ndryshim të qëndrimit të Institucionit të Presidentit ndaj kësaj çështje!

Unë besoj fort se Presidenti i Republikës nuk do të lejojë që Republika e Shqipërsisë të ketë një marëveshje e cila nuk respekton atë që është shkruar në Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili është udhërrëfyesi i politikës dhe pjesës teknike. Qëndrime politike të tipit, mjafton dhe një km2 det më shumë të marrim se marëveshje e vitit 2009, e kemi mbërritur objektivin, mendoj se janë krejtësisht të qëllimshme dhe duan të parapërgatisin opinionin të pranoje një dështim edhe më të madh se ai që patëm në vitin 2009.

Unë besoj fort se Presidenti i Republikës nuk do të lejojë që të shkohet në një gjykatë ndërkombëtare pa u garantuar se:

1. Negociatat ndërmjet grupeve negociatore kanë shterruar dhe nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat,

2. Pa përcaktuar qartë pikat e mosmarëveshjes ndërmjet palëve përfshirë këtu:

a) Deklarimet e vijës bazë, dhe pranimin e vijes së drejtë bazë të RSH nga ana e palës Greke sikurse është rënë dakort në ato pak negociata të zhvilluara deri më tani (këtu i referohem deklarimeve te ish anëtarëve të grupit negociator)

b) Shkëmbi “Barketa nuk do të merët në konsideratë si element referues i vijës bazë në përcaktimin e detit territorial,

c) Diskutimi i hapësirave detare të ishulit të Korfuzit në pjesën Perëndimore të tij,

d) Ishujt Erikuza dhe Othonoi nuk do të kenë efekt të plotë dhe se efekti i dhënë këtyre ishujve do të trajtohet mbështetur dhe në cazuset e IJC në rastet e ngjajshme,

e) Republika e Shqipërise të paraqesë rezervat e saj prane OKB lidhur me përfundimin e marëveshjes Itali-Greqi me anë të së cilës janë ndare dhe hapësira të cilat mund të jenë pretendim i palës Shqiptare

3. Pa bërë një vlerësim paraprak të situatës dhe peshim të shanseve që kemi për të patur një vendim pozitiv të gjykatës ndërkombëtare.

Pala Greke sigurisht që kërkon të vrapojë dhe të zgjidhë sa më parë këtë çështje, duke shfrytëzuar avantazhin e saj si një shtet detar dhe me një ekspertizë të jashtëzakonshme në këtë fushë. Ata e dinë fort mire se sa më shumë kohë na japin, aq më shumë ne kuptojmë se si duhet vepruar ndaj dhe nxitojnë, sigurisht duke shtuar këtu dhe rëndësinë gjeostrategjike që ka kjo çështje edhe në krijimin e precedentëve që ata duan të krjojnë për raste të ngjajshme që kanë me fqinjët lindorë.

Un besoj fort se Presidenti i Republikës do të qëndrojë garant i këtyre interesave duke ndikuar fuqishem në arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm, ku RSH të fitojë ato hapësira që i takojne vëndit!

O.M 19.06.2022 *Marrë nga Facebook-u i autorit