TIRANE – Kompania “CEZ Shpërndarje” dorëzoi pranë Entit Rregullator të Energjisë pretendimet për licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. 

Ndërkohë ERE ka nisur prej një muaji procedurat për rishikimin e licencës së CEZ-it, duke i vendosur edhe disa kushte për të përmbushur, afati për të cilat ka përfunduar. 

Negocimet me kompaninë çeke zgjatën 30 ditë, që nga data 16 kur ERE nisi procedurën për heqjen e licencës së CEZ-it, pas ndërprerjeve masive të energjisë që kjo kompani bëri në ujësjellësit e disa qyteteve. 

Aktualisht importi i energjisë në vend, po sigurohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, e cila garanton se do të ketë energji pa ndërprerje për konsumatorët. Konsumi aktual i energjisë është rritur për shkak të uljeve të temperaturave. Pjesa tjetër e energjisë, krahas importit prodhohet nga hidrocentralet vendase. 

Si u përzgjodh CEZ 

Duke pasur ofertën më të mirë, CEZ u përzgjodh si fitues nga komisioni tenderues në tetor 2008 dhe kompania filloi të administrohej zyrtarisht nga CEZ më 30 mars 2009. Vlera e kontratës për shumicën e aksioneve të OSSH-së është 102 milionë euro. Qëllimet kryesore të 'CEZ Group' ishin transformimi i kompanisë dhe përmirësimi i furnizimit me energji elektrike në Shqipëri, por që fatkeqësisht deri më sot nuk janë realizuar dhe një nga dëshmitë e tjera të papërgjegjshmërisë së CEZ në administrim janë edhe mijëra qytetarë në radhë të gjata për ankesa në faturime të paligjshme apo edhe më keq, në ndëshkime kolektive me ndërprerje masive të energjisë edhe për ata që paguajnë.