Ndërprerja e energjisë elektrike për konsumatorët debitorë prodhon edhe konflikte mes qytetarëve dhe punonjësve të kompanisë CEZ Shpërndarje. Rasti më i fundit ka ndodhur në fundjavën që lamë pas, kur banorët kërcënuan se do të mbajnë peng në fshat brigadën e punës së kompanisë në këtë zonë.

Tre punonjësit ishin dërguar mëngjesin e së shtunës për të riparuar një defekt të shkaktuar nga lidhja e paautorizuar e realizuar nga banorët e fshatit Perlat, por janë përplasur me ta teksa kanë qenë në detyrë e sipër. Afro 40 banorë të fshatit nuk i kanë lejuar tre punonjësit e CEZ Shpërndarje të kryejnë detyrën e tyre, pavarësisht faktit se ndërprerja ishte bërë pasi shumica e konsumatorëve të zonës është debitore në shlyerjen e faturave të energjisë elektrike.

Ndërprerja e saj për 430 banorë të fshatit Perlat të Sukthit që është konfirmuar dhe nga kompania e shpërndarjes ka irrituar banorët, një pjesë e të cilëve ka bërë rilidhjen e linjave të banesave me rrjetin shpërndarës duke shkaktuar edhe një problem teknik. Kompania ka urdhëruar nisjen e një brigade pune në fshatin Perlat për të vlerësuar situatën dhe ndërhyrë në shkëputjen e lidhjeve të paligjshme dhe riparimin e defektit të shkaktuar në rrjet.

Me të konstatuar punonjësit e CEZ-it, një pjesë e banorëve kanë reaguar dhe kanë kërkuar që të gjithëve t’u rikthehet furnizimi me energji, në të kundërt ata dhe automjeti i tyre nuk do të mund të dilnin jashtë fshatit. Të acaruar nga mungesa e energjisë dhe rikthimi i teknikëve në fshat një pjesë e banorëve kanë detyruar nën presion punonjësit që të bëjnë rilidhjen e linjave me rrjetin.

Rëndimi i situatës ka bërë që të kërkohet ndërhyrja e shërbimeve të policisë së rendit. Prania e forcave policore ka detyruar banorët të qetësohen dhe të nisin bisedimet mbi situatën me punonjësit. Në përfundim të situatës mes palëve të përfshira në këtë situatë konfliktuale është arritur një marrëveshje.

Në përfundim shumica e banorëve rebelë ka pranuar se do të nisin shlyerjen e faturave të papaguara, ndërsa CEZ Shpërndarje do të rikthejë energjinë elektrike në të gjithë zonën. Përtej marrëveshjes mes palëve, burime të policisë lokale bëjnë të ditur se po punohet për dokumentimin e ngjarjes dhe sqarimin e plotë të rrethanave për të përcaktuar nëse ka vend për ngritjen e akuzave ndaj organizatorëve të konfliktit me punonjësit në detyrë.