Është konsideruar si blogerja e parë e mirëfilltë në Shqipëri. Ajo komentohet gjithmonë për veshjet që zgjedh në eventet publike në kryeqytet si dhe për pjesëmarrjen në Javët e Modës në disa prej qyteteve kryesore të Evropës si Paris, Milano apo Stamboll.
Bëhet fjalë për Armina Mevlanin, e cila në shumë pak kohë ka arritur të ndërtojë një emër jo vetëm në territorin tonë, por edhe jashtë vendit. Në një intervistë ekskluzive për “Opinion.al” ajo tregon për frymëzimet e saj dhe lidhje e hershme me modën.
Por si ka ndryshuar stili i Arminës që prej fëmijërisë së saj e deri më sot? Lexoni më poshtë pjesën e parë të intervistës për të kuptuar më shumë.
Çfarë të frymëzon çdo mëngjes për t’u veshur?
Unë jam një njeri që nuk jetoj dot pa muzikë. Fle me muzikë, zgjohem me muzikë, jam e varur nga kënga. Gjendja shpirtërore varet nga këngët. Veshja ime varet nga këngët që dëgjoj në mëngjes.
Njerëzit thonë, po kjo një ditë është rock, një ditë është klasike, një ditë kthehet në vitet ‘70, çfarë ke për t'u thënë?
Mua më pëlqen larmishmëria. Do më dukej shumë e mërzitshme, nëse do të ishte ndryshe. Identiteti im është pikërisht kjo, larmishmëria. Unë nuk është se dal nga stili im, gjithmonë kam qenë brenda rock-ut, stilit të lolitës, edhe atij latin.
Veshjet e tua në javët e modës, i kombinon vetë apo ke ndihmë profesionale?
Veshjet i zgjedh vetë, nuk pranoj të kem dikë që të më caktojë çfarë të vesh. Nuk i pëlqej njerëzit që i marrin gjërat “shabllon” nga koka te këmbët pa shtuar një element të tyre. Edhe unë natyrisht frymëzohem nga persona të tjerë, por gjithnjë i përshtat ato me stilin tim. Dua që veshja ime të përcjellë një mesazh.
Për momentin çfarë të frymëzon më tepër?
Më tepër muzika rock, edhe sot dëgjoj të njëjtat grupe që dëgjoja dikur. Edhe filmat më frymëzojnë, kryesisht ato të vjetër, që ndoshta shumë i kanë harruar. I shoh se më pëlqejnë, dhe prej tyre marrë ide për aksesorë, veshje, etj.
A ndikojnë frymëzimet e tua në veshjet që sjell në dyqan apo bën kompromise për hir të tregut?
Normalisht që ka kompromise, sepse jo të gjithëve i pëlqen stili im. Për në dyqan mundohem të sjell veshje dhe aksesorë ku mund të gjejnë veten.
Çfarë lidhje ke pasur në fëmijëri me modën dhe veshjet? A të vishte mami kur ishte e vogël?
Për mua, mami im ka qenë gjithnjë frymëzim. Ajo ka pasur disa shoqe që jetonin jashtë dhe i sillnin shumë gjëra për të veshur. Më kujtohet që kur ishin Javët e Modës, atëherë shfaqeshin në Fashion TV, ne i shikonim bashkë.
Unë kam qenë një vajzë tipike që luaja me kukulla, dhe mund të rrija orë të tëra në dhomë e mbyllur duke qepur fustane për to.
Po në adoleshencë çfarë ndodhi që ndryshove plotësisht?
Në adoleshencë fillova të dëgjoja pak muzikë rock, dhe mund të them se më erdhi e gjitha natyrshëm. Fillova të vishesha me rrobat pak më të errëta dhe konversa. Atë e quaj pika kulminante e jetës, sepse muzika rock është histori.
Të ka ndodhur ndonjëherë të të bërtasin mësuesit?
Unë në fakt në matematikë nuk kam qenë shumë mirë sepse isha e orientuar nga letërsia, dhe një ditë më çon mësuesja në mësim. Unë normalisht isha e veshur me xhinse të grisura, shumë keq, me geta rrjetë. Dhe pa më bërë asnjë pyetje për mësimet më bërtiti; “Ku vete me këto xhinse! Sikur t'i kanë ngrënë qentë”. Klasa qeshte. Eh është bërë e madhe si çështje. U bëra problem në drejtori.
Po prindërit si kanë reaguar në atë kohë?
Prindërit e mi kanë qenë shumë liberalë. Normalisht më kanë këshilluar, më kanë thënë t'i minimizoj ato veshje ekstravagante, kryesisht në shkollë dhe t'i vishja kur dilja me shoqet e mia.
Po aksesorët për ato veshjet “ekstravagante” ku i gjeje në ato kohë?
Ka qenë e vështirë për t'i gjetur. Ka qenë një dyqan “Marigona” afër gjimnazit “Petro Nini”, ose i thosha hallës që e kisha në Amerikë. Ajo më furnizonte me të gjitha veshjet, edhe atletet konvers.
Çfarë të bëri më pas që të ndryshoje gradualisht stilin?
Nga viti i tretë gjimnaz filluam të dilnim nëpër klube, dhe aty e kuptova që duhet të vishja pak takë për t'u përshtatur me ambientin. Më pas në vit të katërt zbulova stilin bohem dhe fillova të bëja ca kombinime më serioze por njëkohësisht kishin edhe elementët që mua më pëlqenin.