Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka surprizuar jo pak opinionin publik me vendimin e saj, për të shpallur kompaninë fituese që do të zhvillojë zonën industriale në Spitallë të Durrësit.

Sipas ministrisë, konsorciumi fitues është bashkimi i përkohshëm i kompanive “Pelikani”, “Vëllezërit Hysa” dhe “Best Construction”, me një vlerë financiare prej 38,4 mln euro. Kjo shumë rezulton dyfish më pak se oferta qe kompania e dytë në garë, kishte ofruar për investim, rreth 92 mln euro.

Kjo vendimmarrje e ministrisë, shton dyshimet se shpallja e fituesit, lidhet me afera korruptive të njerëzve me pushtet, që qëndrojnë pas këtij konsorciumi. Por vlera financiare nuk është elementi i vetëm që e komprometon këtë vendim.

Mësohet se kompania e shpallur fituese, ka në plan që në zonën e Spitallës, të ndërtojë një fabrikë të pasurimit të ferrokromit. Ky fakt bie në kundërshtim me llojin e aktivitetit që parashikohet për zhvillimin e kësaj zone. Nëse do të gjejë zbatim, ky projekt do të ketë një ndikim të madh negativ në mjedis, pasi Spitalla është vetëm 2 km larg zonës turistike të Gjirit të Lalzit apo Hamallajt, shkruan Vizion Plus.

Plan-projekti dhe vlera financiare, janë dy elemente thelbësorë që përcaktojnë fituesin në një garë, por mesa duket, ministria dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, nuk i kanë marrë këto në konsideratë, duke ngritur pikëpyetje lidhur me këtë vendimmarrje. Dyshimet shtohen më tej kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka marrë vendim për të shtyrë me dy herë afatin për shpalljen e fituesit, pa dhënë asnjë arsye për ta argumentuar.

E nëse do të flitet më tej për kriteret e tjera lidhur me kohën e përfundimit të investimit, numrin e të punësuarve, planin e biznesit etj., vendimmarrja e Ministrisë së Ekonomisë do të duhet të anulohet, pasi është në shkelje të hapur të ligjit. Ky vendim absurd që shpërfill interesin për komunitetin dhe buxhetin e shtetit duket se do të përfundojë në prokurori./Vizionplus