Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Price Aggeler njoftoi se një ekip ekspertësh amerikanë po përfshihen në luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut.

Ajo shkruajti të martën në Twitter se një ekip për sanksionet nga Shtetet e Bashkuara ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut “për një shikim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar të kaluar dhe të tanishëm dhe për të shqyrtuar të gjitha reagimet e mundshme”.

“Sektori i drejtësisë së Maqedonisë së Veriut ka nevojë për më tepër hetime, ndjekje penale për të treguar se askush nuk qëndron mbi ligjin”, shkruan Ambasadorja Aggeler.

Zonja Aggeler, e cila e mori detyrën vetëm para pak javësh, ka ngritur zërin kundër parregullsive sidomos në fushën e gjyqësorit. Pas miratimit të Islam Abazit në detyrën e Prokurorit publik për Krimin e Organizuar, ajo u shpreh se mënyra se si u bë përzgjedhja duket e çuditshme, pasi Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar miliona dollarë gjatë viteve të fundit për trajnimin e prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë në sistemin e drejtësisë.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë një sistem të pavarur të gjyqësorit në të cilin postet plotësohen sipas meritës dhe cilësisë, përmes proceseve transparente, pavarësisht nëse janë në prokurori, gjyqësor apo në ndonjë institucion tjetër publik. Ndërhyrja politike nuk ka vend në këto procese. Ata që do të ndërhyjnë përmes presionit, kërcënimeve apo marrëveshjeve korruptive do të thirren dhe do të mbahen përgjegjës nga qytetarët”, theksonte ambasadorja.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit në muajin prill futën në ‘listën e zezë’ ish-Kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski dhe ish-shefin e shërbimit sekret, Sasho Mijallkov. Veprimet e tyre, sipas Departamentit të Shtetit, “dëmtojnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike, teksa largojnë besimin tek qeveria”.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut në bisedimet me Bashkimin Evropian ka nisur procesin e vlerësimit të përshtatjes së ligjeve me ato të Bashkimit Evropian, që mes tjerash kërkojnë luftën pa kompromis kundër korrupsionit. Megjithatë, pothuajse nuk ka zyrtarë dhe funksionarë aktualë të pushtetit të hetuar apo të dënuar për korrupsion. Madje, Gjykata e Lartë uli para ca ditësh dënimin që ishte dhënë për ish-shefin e shërbimit sekret, Sasho Mijallkov.

Autoritetet qeveritare nuk kanë komentuar kritikat e ashpra të ambasadores amerikane në Shkup./ VOA