Nga BUJAR QESJA

E kisha “fshehur” këtë foto, për ti taksur vetes kohën e duhur për ta interpretuar disi. Janë vendosur në të shtatë burra, shtatë njerëz të thjeshtë, por shumë modestë. Krenaria për punën e tyre, na mbulon të tërëve nga pak apo nga shumë. E shikoj pamjen. E ofroj foton dhe sytë më janë lëshuar plotësisht, mbi katërkëndëshin prej celuloidi dhe filloj të flas me të.

Sytë e mëndjes më janë lëshuar aty, duke bërë të lëvizin burmat e memories dhe të më diktojnë formulimin e mendimeve. Sa herë them çfarë burrash janë, aq herë më reagon e kundërta: a ka të tillë sot? Burra ka patur dhe do të ketë. Por se si janë këto të kësaj fotoje, më duket sikur janë bërë prej floriri. Mëndje flori, pamje flori, fisnikëri të florinjtë, kulturë prej floriri, mirësi dhe bukuri asëll flori.

Eh njerëz të mirë dhe të mënçur!

Nuk flitnin shumë. Nuk mendonin dhe kurrë se thanë, që kanë bërë këtë, e kanë bërë atë. Me urtësi dhe veçanërisht më thjeshtësi dhe modesti, ndërtuan katet shumë të larta të kulturës dhe edukatës. Jo vetëm të tyren, e ritheksoj jo, jo, jo vetëm të tyren, por edhe tonën. Foto më lëviz ndër duar, ashtu si kujtesa ime për to që zhbirilon, nëpër faqet e ndritshme të jetës dhe punës së tyre.

Nuk mund të mos e publikoj, ashtu sikundër të mos mundohem të shprehem aq sa di për to. Secili meriton shumë, shumë më tepër se këto fjalë të një bashkëqytetari të tyre edhe ky në thjeshtësine dhe modestinë e tij.

Do ta nisë nga njeriu aq është ulur në gjunjë. Dhe më duket, sikur unë janë ulur akoma më shumë në gjunjë përpara tyre. Kemi të bëjmë me kolosë të mendimit dhe interpretimit të asaj kulture dhe mënçurie, që na bëjmë të mburremi dhe të thërrasim me të madhe: lumsi ne për këtë pasuri!

Jorgji Çerepi. Peshë e rëndë e gjuhësisë dhe letërsisë. Shkencëtar, mendimtar, që e ka lëruar kulturën me traktorin e tij të jetës. Autor tekstesh, i punimeve shkencore, i studimeve të mirfillta të gjuhës shqipe, duke lënë në këtë dhe dhe në këtë tokë pasuri. Kjo pra ka qenë dhe mbetet pasuria e tyre, kultura, studimi dhe mësimi.

Në krahun e djathtë është Petrit Velaj, shkencëtari i fizikës. Pranë tij qendron Danish Bebeziqi, themeli i historisë. E vazhdojmë me Remzi Tivarin, që lëndën e gjeografisë e rrotullonte në mendje si vetë globin. Një kuadër universal, duke bërë edhe diplomatin edhe drejtuesin e teatrit “A. Moisiu” dhe të seksionit të arsimit në rreth.

Vjen Petro Luarasi. Ky mbiemër është shumë i njohur, vatër e kulturës, i atdhedashurisë, i një patriotizmi nderues. Pedagog i lëndës së biologjisë dhe i kimisë. Vazhdon rradhën Murat Dervishi i lëndës së matematikës, për ta mbyllur me një gjigand të kulturës Pertef Kruja. Ka përkthyer edhe “Faustin” e Gëtes. Për ca kohë drejtoi edhe bibliotekën e Durrësit. E folura e tij dhe komunikimi, janë në një masë të pakonkurueshme.

Nga këto të shtatë jetojnë vetëm dy Petro dhe Murati. Lotët e Petros nga Amerika ku jeton tashmë, për mallin për Durrësin e tij, na njomin kujtesën për të. Pesë të tjerët, Danishi, Petriti, Pertefi, Remziu dhe Jorgji kurrsesi nuk mund të shkruaj, se e kanë ndalur frymëmarrjen prej vitesh, pasi ata jetojnë dhe do të jetojnë gjithnjë, sa kohë do të jetojë kultura dhe qytetaria durrsake.

Mund të shkruaja shumë për to, por ndjehem i lehtësuar se nuk mund ta bëj. Puna dhe angazhimi i tyre kulturor dhe qytetar, flasin shumë më shumë se sa këto rradhë. Pasi ajo është investuar tek unë, tek ty, tek ai, tek të gjithë ne, pasi jemi pasardhësit e tyre. Veçanërish brezi ynë, për atë që kemi bërë dhe të tjera që jemi përpjekur ti bëjmë, ka brenda nga pak Danish, nga pak Jorgji, nga pak Remzi, nga pak Përtef e nga pak Petrit, e nga pak Petro e Murat.

Le ta ndjekim foton dhe të përqendrohemi tek ajo. Janë fisnikët tanë, janë mentorët tanë. Kurrë mos u tretshin nga kujtesa e jonë, pasi kurrë nuk e ndanë punën dhe jetën e tyre nga ne.

Gjithnjë kujtesë dhe mos-harresë ndaj tyre!