Studimet tregojnë se po rritet ndjeshëm numri i aborteve selektive në Shqipëri. Madje vendi ynë renditet i pari në Ballkan për numrin e lartë të aborteve sipas gjinisë. Kjo do të thotë se çiftet shqiptare vendosin ti ndërpresin shtatzënitë apo të bëjnë abort vetëm se fëmija i tyre nuk është i gjinisë që ata duan. Në shumicën e rasteve, (një mentalitet i vjetër ky i shoqërisë shqiptare) prindërit shqiptar, sidomos burrat preferojnë të lindin djem dhe jo vajza. Nga ana ligjore çdo lloj aborti përveç arsyeve shëndetësore, konsiderohet një krim dhe një diskriminim.

Task-forca

Ministria e Shëndetësisë në muajin janar të vitit 2013, do vejë në funksion një task-force për monitorimin e aborteve në klinikat private, dhe zbatimin e ligjit për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë. Lajmi u bë i ditur dje nga drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, në aktivitetin e prezantimit të studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”. Task-force, sipas tij, do të monitorojë nivelin e aborteve dhe shkaqet se përse është thelluar pabarazia mes gjinive që në lindje.

Ligji për abortet

“Ndërprerja e shtatzënisë në vendin tonë rregullohet me ligjin;“Për ndërprerjen vullnetare të Shtatzënisë”, ligj bashkëkohor dhe i mbështetur mbi eksperiencat e vendeve të zhvilluara Europiane”, tha Pipero. Ligji parashikon në nenin 1 të tij respektimin e çdo qenie njerëzore që në fillim të jetës. Ky parim nuk shkelet, përveç rasteve kur është e domosdoshme dhe në kushtet e përcaktuara në këtë ligj. Ligji në nenin 1 te tij thekson se aborti ne asnjë rast nuk duhet të përdoret si metodë e planifikimit familjar. Në ligj parashikohet ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, me kërkesën e nënës deri ne 12 javë shtatzënie. “Ligji garanton respektimin e çdo qenie njerëzore që në fillim të jetës së tyre, pra që në fazën e konceptimit. Shtatzënia deri në 22 javë mund të ndërpritet për një sërë arsyesh shëndetësore, përfshirë edhe ato psikosociale të përcaktuara, në zbatim të këtij ligji nga Ministria e Shëndetësisë. Në to nuk përfshihet aborti për zgjedhjen e seksit”, sqaroi Pipero.

Studimi

Edhe sipas studimit të prezantuar nga organizata “World Vision”, thuhet se në Shqipëri po lindin më shumë meshkuj se femra. Aborti selektiv është njëri nga shkaqet kryesore, edhe pse në vendin tonë ai është ndaluar me ligj. Aktualisht raporti i lindjes femra-meshkuj ka shkuar në 100 femra të lindura kundrejt 111 meshkujve. Nëse do të vazhdohet me këto ritme, sipas demografit Arjan Gjonçaj, pritet që në 20 vitet e ardhshme të kemi mbi 11 për qind meshkuj më shumë se femra.

Pasojat

“Raporti biologjik është 105 lindje meshkuj për 100 femra. Studimi tregon nga shumë burime të dhënash, dhe disa tipe analizash që është mbi 111 lindje meshkuj për 100 femra. Pasoja e parë demografike është që do të kemi një tkurrje të tregut të martesës, nëse do e quanim kështu, ku do të ketë një surplus të meshkujve me femrat. Nëse vazhdohet me trendin aktual kemi rreth 11 për qind meshkuj më shumë se femra. Unë do të shtoja dhe emigracionin, ky emigracion që shohim tani mund ta shtojë akoma më shumë”, vijon ai. Më i dukshëm ky fenomen (i abortit sipas gjinisë) është në Dibër, Durrës, Lezhë dhe Fier, ndërsa më i zbutur në qytetet juglindore.

Abortet, Shqipëria e para në Ballkan

Në Shqipëri, raporti i lindjes së meshkujve shënon një mesatare prej 111.7 për 100 lindje vajzash, për periudhën 2008–2010. Ndërkaq, norma botërore është 105 lindje djemsh per 100 lindje vajzash dhe studimi vërteton se ky ekuilibër në Shqipëri është prishur pikërisht për shkak të shtimit të rasteve të abortit selektiv. Dëshira për të pasur të paktën një pasardhës mashkull në familje është shkaku kryesor i aborteve të qëllimshme të foshnjave vajza. Në pellgun e Ballkanit, një nga zonat më problematike ndërkombëtarisht, Shqipëria zë vendin e parë për këtë tregues, ndjekur nga Maqedonia Veriperëndimore.