Reshje të rrëmbyera shiu kanë paralizuar disa pjesë të kryeqytetit të Serbisë, Beograd.

Mediet serbe thonë se stuhia u përplas fillimisht me të gjithë furinë e saj në zonën e Zemunit, e më pas, edhe në pjesë të tjera të qytetit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të zhytura krejtësisht në ujë, makina të bllokuara dhe një autobus që noton, ndërsa një pasagjere e tij bën e trembur shenjën e kryqit.

Instituti Hidrometeorologjik Republikan i Serbisë njoftoi se brenda një kohe të shkurtër në kryeqytetin serb do të bien reshje të shumta shiu.

“Do të ketë rrebeshe të dendura, , breshër, erëra të forta dhe të stuhishme, me probabilitet më të madh në disa zona të Serbisë”, thuhet në paralajmërimin më të fundit të këtij instituti.

Stuhi e rrebeshe shiu parashikon në disa pjesë të Europës juglindore, përfshirë Kosovën, kroacinë, Hungarina e Rumaninë.

Ekspertët paralajmërojnë se shirat e rrëmbyer mund të shkaktojnë përmbytje në zonat e ulëta, duke kërcënuar komunitetet që jetojnë pranë lumenjve e përrenjve.

Nuk përjashtohet megjithatë as mundësia e vërshimeve të ujit edhe në zonat urbane, me sisteme kullimi të mbingarkuara.