Nuk ndodh shpesh që të shohësh në autostradë një makinë Ferrari të dizajnuar për të garuar në Formula 1, por drejtuesit e mjeteve në një rrugë në Republikën Çeke janë përballur me një skenë të tillë.

Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shihet një Ferrari klasik i Formula 1 duke dhuruar spektakël në autostradë.

Shoferi i makinës që filmoi pamjet iu përkushtua ndjekjes së këtij mjeti të veçantë për kilometra të tëra.

Edhe policia çeke është bërë kurioze, duke kërkuar që të identifikojë drejtuesin e këtij Ferrari.

Siç raportohet nga media çeke iDNES.cz, nuk është hera e parë që ky shofer e bën këtë. Në shtator 2018, një video e ngjashme u bë virale dhe policia i kërkoi publikut ndihmë për të identifikuar individin

Edhe pse u gjet një i dyshuar, një burrë 45-vjeçar,  ai mohoi faktet dhe autoritetet nuk mund ta fajësonin atë pasi për shkak të helmetës, identifikimi i tij nuk ishte i mundur.

Kjo shkelje mbart një gjobë prej dhjetëra mijëra dollarësh apo edhe pezullim të patentës për një vit dhe policia çeke ka sqaruar se është në kërkim të shoferit të “çmendur”.