*Pasagjerët braktisin Rinasin për portin e Durrësit. Në tre muajt e parë 18 mijë udhëtarë më shumë!

Çmimet e larta të aplikuara në aeroportin e Rinasit për pasagjerët, kanë rikthyer vëmendjen e tyre drejt transportit detar në portin e Durrësit. Tri muajt parë të vitit 2016, kanë shënuar rritje të dukshme të numrit të pasagjerëve që kanë lundruar me tragete nga porti i Durrësit drejt porteve italiane dhe anasjellas.

Ndonëse prekjet e trageteve në portin e Durrësit janë të njëjtat me vitin e shkuar, zyrtarisht statistikat e APD-së, konfirmojnë se rreth 18 mijë udhëtarë më shumë kanë transportuar tragetet, nga porti i Durrësit për tri muajt e parë të vitit 2016, në krahasim me tri muajt e parë të 2015-s. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, tragetet e linjave kanë transportuar 15 për qind më shumë udhëtarë dhe 25 për qind më shumë autovetura se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2015.  Tragetet janë shfrytëzuar nga 133.384 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj, një shifër 17.845 udhëtarë më e lartë se sa 3-mujori i parë i vitit të kaluar, mësohet nga sektori i statistikave të APD-së.

Sipas të njëjtave burime, 80.549 udhëtarë janë nisur me tragete drejt porteve të Barit, Brindizit, Triestes dhe Ankonës (Itali), duke shënuar një rritje prej 11 për qind krahasuar me të njëjtët muaj të vitit paraardhës. Numri i udhëtarëve në hyrje ka qenë më i vogël se në dalje, vetëm 52.835 vetë, por 22 për qind më i madh se sa gjatë tri muajve të parë të vitit 2015. Statistikat bëjnë me dije se shifrat e udhëtarëve vendas që shfrytëzojnë tragetet kanë shënuar një rritje prej 13 për qind, ndërsa për të huajt është regjistruar një rritje prej 20 për qind.

Rritje prej 3 për qind ka pasur edhe në transportin e kamionëve me tragete, ndërkohë që vihet re një rritje prej 25 për qind në numrin e përgjithshëm të autoveturave. Në tre muajt e parë të vitit 2016 në portin e Durrësit kanë kaluar 25.615 autovetura gjithsej. Tragetet kanë kryer 17 lundrime më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, por shifrat e transportit të mallrave në 3 muajt e parë të vitit 2016 janë thuajse në të njëjtat kuota me ato të periudhës janar – mars 2015.

K.H.