Rritja e çmimeve të produkeve ushqimore nuk ka ndalur gjatë kësaj kohe dhe duket se as nuk do të ndalë në ditët që na presin.

Kriza e paralajmëruar që do të vijë si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, ka ngritur shqetësimin se produktet e ushqimeve bazë do të pësojnë një tjetër rritje.

Gjatë 2 muajve të parë të këtij viti, thuajse të gjitha ushqimet e shportës kanë pësuar rritje të çmimit të tyre krahasuar me vitin që lamë pas, gjë që e theksojnë edhe qytetarët e Durrësit.

Jo vetëm tani gjatë luftës, ka një muaj kjo rritje. Në të gjitha anët, në ushqime, në naftë, benzinë , të gjitha janë nga 20-30 lekë më tepër. Nuk ka ndonjë gjë që po ulet, por duhet t’i përballojmë, ose do vdesim“, thotë një qytetar.

Çmimet e larta iu janë bërë kështu një ngarkesë shtesë për buxhetin modest familjar.

Me zor përballohet, sidomos për ne që jemi me pension. Frutat të parat si fus dot në shtëpi”, thekson një tjetër.

Përpunuesit e qumështit kanë bërë me dije se nga dita e nesërme pritet të rriten me disa përqind edhe produktet e bulmetit, ndërsa kaotike paraqitet situata në fabrikën e miellit në Maminas.

Magazinierët i thanë “DurrësLajm” se qytetarët po blejnë thasë me shumicë, sepse shqetësohen se në ditët në vijim do të na presin mungesa.

Në valën e kësaj frike, të gjithë po mundohen të sigurojnë në shtëpitë e tyre rezerva.

Kemi filluar duke blerë, të paktën e dijmë që kemi një gjë në shtëpi se nuk i dihet. Miellin, sheqerin, vajin këto baziket, se salltanetet nuk i blejmë dot. Tani do rriten dhe më shumë se nuk ka ardhur akoma rritja e luftës“, tha për kamerën e “DurrësLajm” një qytetare.

Në një vëzhgim të bërë në dyqanet e tregtimit me pakicë, rritja e çmimeve është evidente ndërsa konfirmohet edhe nga shitësit, të cilët janë të parët që përballen edhe me qytetarët.

Sipas çmimit që qytetarët e blejnë, rritja e çmimit të një produkti varion nga 20 lekë deri në 40 lekë në pikat e tregtimit, por priten rritje të mëtejshme duke rënduar edhe më shumë në xhepat e konsumatorëve, të cilët nuk mund të përballojnë një fushatë të dytë rritje.

K.Gj