9 dhjetor  2014 –  Mbrëmjen e djeshme, më 8 dhjetor  solli në Tiranë rivënien e operës së Moxartit “Così fan tutte”, ose “Shkolla e të dashuruarve”. Risi e radhës ishte tenori i njohur spanjoll David Ferri.

Opera “Così fan tutte”, e cila u shfaq të hënën, në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, është një nga operat më të famshme të Moxartit.

“Cosi Fan Tutte” i ka munguar publikut shqiptar për tetë vite, shprehen drejtuesit e TKOB, ndaj ata kanë menduar ta rifreskojnë trupën interpretuese të repertorit të këtij institucioni me zërin e tenorit spanjoll David Ferri. Opera u rikthye në skenë me zërat e artistëve më të shquar shqiptarë, siç janë solistët e TKOB, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Aurel Thëllimi, Dorina Selimaj, Eriona Gjyzeli dhe Armando Likaj. Tenori spanjoll David Ferri do të luajë rolin e Fernandos. Artisti Ferri u shpreh gjatë provave, se rolin e Ferrandos e interpreton për herë të tretë, ndërkohë që në një skenë të re, siç është për të skena e operës së Tiranës preferon të eksperimentojë.

Në operën “Così fan tutte” ngjarjet zhvillohen në Napoli. Dy oficerët, Fernando dhe Guiliemo mburren për besnikërinë e të fejuarave të tyre, e cila kundërshtohet nga miku i tyre filozofi Don Alfonso. Për të vërtetuar këtë, ata i vënë në provë të fejuarat e tyre. Pas shumë peripecive dhe mungesës së besnikërisë, ata rikthehen tek njëri– tjetri me fjalët, “i lumtur ai njeri që gjithçka e merr në sensin e mirë dhe udhëhiqet nga arsyeja në çështjet dhe ngjarjet”.

Kjo opera do të ngjitet në skenë edhe në datën 8 dhjetor.

“Così fan tutte opera”, Opera me dy akte nga Ëolfgang Amadeus Mozart me libret të Lorenzo da Ponte. 

Fiordiligi: Emiljana Palushaj

Dorabella: Vikena Kamenica, Sonila Baboçi

Ferrando: David Ferri

Guglielmo: Aurel Thëllimi

Despina: Dorina Selimaj, Eriona Gjyzeli

Don Alfonso: Armando Likaj

Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOB

Dirigjent: Matteo Pagliari

Regjizor: Nikolin Gurakuqi

Skenografia: Nikolin Gurakuqi

Kostumet: Taulant Pustina