Banorët e Damaskut, kryeqytetit sirian, po përballen me mungesë të theksuar të ujit pas një dimri jashtëzakonisht të thatë – më i thati në gati 70 vjet.
Autoritetet lokale kanë ngritur alarmin dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ulin konsumin e përditshëm të ujit për të shmangur përkeqësimin e situatës gjatë muajve të verës.
Ahmad Darwish, kreu i Autoritetit të Furnizimit me Ujë në Damask, tha se reshjet e vitit 2025 kanë qenë më të ulëtat që nga viti 1956.
Sipas tij, burimi kryesor i qytetit, Ein al-Fijeh, i cili furnizon mbi një milion shtëpi, është në nivelin më të ulët historik.
Ky burim, i cili ushqehet nga reshjet e shiut dhe shkrirja e borës në malet përgjatë kufirit me Libanin, siguron rreth 70% të ujit për mbi pesë milionë banorë të Damaskut dhe zonave përreth.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se pa një menaxhim të kujdesshëm të konsumit, pasojat do të jenë të ndjeshme dhe të gjera për jetën e përditshme.
Shumë lagje tashmë marrin ujë për vetëm 90 minuta në ditë, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike kanë bërë që pompat të mos funksionojnë, duke i lënë disa banorë pa mundësi për të grumbulluar ujë në cisterna.
Në kushte të tilla, gjithnjë e më shumë njerëz po detyrohen të blejnë ujë nga kamionë privatë – një zgjidhje e kushtueshme për shumë familje.
“Kam punuar në burimin Ein al-Fijeh për 33 vjet dhe nuk kam parë kurrë një thatësirë si kjo,” u shpreh Hassan Bashi, roje në burim. “Këto tunele dikur ishin plot me ujë.”
Krizës së ujit i shtohen edhe sfidat politike dhe ekonomike që Siria po kalon pas rrëzimit të Bashar al-Assad në dhjetor.
Udhëheqësi i përkohshëm, Ahmed al-Sharaa – një figurë e njohur nga grupi ish-rebel Hayat Tahrir al-Sham – është përpjekur të rihapë diplomacinë ndërkombëtare dhe të fillojë rindërtimin e vendit pas afro 14 vjetësh lufte civile.
Javën e kaluar, ai u takua me Presidentin amerikan Donald Trump në Arabinë Saudite, në një përpjekje për të siguruar mbështetje ndërkombëtare.
Ndërkohë, SHBA-të dhe BE-ja kanë sinjalizuar një mundësi për heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë, në mënyrë që vendi të mund të ringrihet ekonomikisht – përfshirë dhe sektorin jetik të furnizimit me ujë.