Asnjë privilegj, asnjë trajtim të veçantë. Dani Alvesh, lojtari që deri më sot ka fituar më shumë trofe në histori, po trajtohet si çdo i burgosur tjetër në qendrën e vuajtjes së dënimit të veprave penale në “Brians 2” në Barcelonë.Në pritje të gjykimit dhe marrjes së vendimit përfundimtar, Dani Alvesh po kalon ditët e tij më të vështira në jetë në një qeli të zakonshme, që është i detyruar ta ndajë me një të burgosur tjetër. E veçanta është se “shoku i qelisë” është një bashkëkombës i tij dhe që për çudi quhet Kutinjo, ndonëse natyrisht nuk ka asnjë lidhje me ish-lojtarin e Barcelonës dhe aktualisht të Aston Vilës.

I vetmi privilegj për Dani Alveshin nëse mund të quhet i tillë ka qenë transferimi nga burgu “Brians 1” në burgun “Brians 2” për arsye sigurie. Ndërkaq, teksa priten zhvillime të reja nga ngjarja, tashmë beteja është zhvendosur tek avokatët mbrojtës të të dyja palëve. Avokati i Dani Alveshit pretendon se braziliani është thjesht një viktimë në këtë rast i futur në kurth. Ndërsa pala tjetër kërkon dënimin maksimal për të për dhunë seksuale. Kujtojmë se Alvesh rrezikon deri në 12 vjet burg.