Një hap gjigant përpara, kështu e përshkroi zëdhënësi i DASH marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.

“Përgëzojmë marrëveshjen e të dy vendeve “për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, të cilin Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë si “rrugën më e mirë për të çuar përpara të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”, tha Ned Price.

“SHBA mirëpret vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë qytetarëve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe që të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dyja palët bënë një hap gjigant përpara me ndërmjetësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe qëndrueshmërisë në të gjithë rajonin”, tha Ned Price.

Më tej theksohet se SHBA inkurajon përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve. Këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, gjithashtu njoftoi se pati një bisedë konstruktive me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“E falënderova për angazhimin në gjetjen e një rruge përpara për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin SHBA-ja e mbështet fuqishëm”, shkroi ai në rrjetin Twitter.

Euractiv dhe BBC nënvizojnë faktin që BE-ja arriti të davariste tensionet mbi targat, që rrezikonin të shkaktonin një përshkallëzim të ri të situatës në veri.

Pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiç, kryediplomati europian Josep Borell nuk e kishte fshehur dëshpërimin nga ky fakt. Ai pat deklaruar se të dy palet mbajnë përgjegjësi të plotë për dështimin e bisedimeve, por më shumë Kosovë, dhe kishte kërcënuar se do të informonte vendet e Bashkimit Evropian për veprimet e palëve dhe mungesën e respektit ndaj detyrimeve ligjore ndërkombëtare.