Xhani De Biazi nervozohet kur pyetet nëse sheh që për të ka një fushatë për ta larguar nga Shqipëria dhe si për rrjedhojë e thotë hapur që shumë persona presin me padurim që ai të gabojë diku për ta sulmuar. Trajneri italian i Kombëtares shqiptare thotë se shumë persona i kanë gati fishekët, por ai është mësuar me situata të tilla dhe janë pikërisht ata që e motivojnë dhe i japin më shumë dëshirë për të vazhduar punën. Ai analizoi miqësoren me Bosnjën, duke thënë se rivali ka shumë kualitet dhe eksperiencë.

Humbja e dytë pas Italisë, a ndodhet në krizë Kombëtarja dhe si pritet të dalë?

Natyrisht me punë, nga një situatë e tillë mund të dalim duke punuar. Skuadrat e vështira na vënë pak në vështirësi, siç ndodhi edhe dje me Bosnjën. Nëse dikush fokusohet te 11-metërshi apo te gabimi individual për pësimin e golit të dytë, atëherë kjo është tjetër gjë.Por, duhet të mbetemi te kontributi dhe te shifrat e lojës ku kemi dominuar gjatë gjithë kohës, edhe në pjesën e dytë ku kemi bërë lojën tonë. Do të përshtatemi me skuadrat e forta që kanë kualitete të mëdha në ekip, por që nuk na vënë në vështirësi, si kjo situata dje.

A ndien ftohje ndaj jush me atë që ju rrethon, ku duket sikur ka një fushatë kundër për t’ju larguar. A ndiheni vetëm?

(De Biazi përgjigjet i nervozuar). Situata të tilla më bëjnë më të determinuar, më pëlqejnë më shumë momente të tilla. I kam kaluar këto momente kur kam qenë në Serinë A, me skuadra që ishin duke rënë nga kategoria dhe kemi shpëtuar. Dua t’ju them që kur shkuam në Europian ishin të gjithë të kënaqur, të gjithë protagonistë. Kur vjen momenti për të humbur më duhet mua, i duhet trajnerit të japë shpjegime në situata të tilla, por unë jam mësuar me këtë histori, me këtë pozicion. Di të them që kam një grup të shkëlqyer, të bashkuar, perfekt, të jashtëzakonshëm për të punuar bashkë, gjithmonë japin shpirtin dhe 110% në fushë.Por, ndodh që edhe kur japin 110% nuk mjafton dhe ndodh që të bëjmë 4 humbje rresht. Ata, të cilët deri dje kanë marrë spaletat, presin që të godasin trajnerin në çdo moment dhe i kanë gati fishekët për t’ia drejtuar atij. Një situatë e tillë mua më pëlqen, jam mësuar me të dhe jam shumë i qartë në çështje të tilla.

Si e komentoni lojën e Bosnjës dhe kush ju la përshtypje më të mirë?

Kam shumë për t’u marrë me skuadrën time dhe nuk kam shumë kohë të merrem me kundërshtarin. Megjithatë, dua të them që Bosnja është një skuadër me elementë shumë të mirë dhe me mungesat e shumta që pati jo vetëm Pjaniç. Është një skuadër e konturuar mirë me një trajner të mirë, por në momente të veçanta hasi vështirësi.

Keni thënë që Hysaj duhet të pushojë, pse e aktivizuat sot 90 minuta?

Është një nga futbollistët më të mirë që kemi, është një futbollist që dëshiron të luajë gjithnjë, të jetë në fushë. Nëse është për të pushuar, atëherë duhet të pushojë në vend tjetër, por ne nuk kemi shumë mundësi. Është një lojtar me kontribut dhe potencial të madh dhe e hodha në fushë, sepse është pjesë shumë e rëndësishme e këtij formacioni.

Duke parë rreshtimin e mbrojtjes, mos ndoshta po mendoni të luani në të njëjtën në mënyrë edhe në Izrael?

Nuk e di. Më duket pa logjikë për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje. Ne luajtëm me Italinë dhe sigurisht që duhet të kishim marrë masa. Paguajmë shtrenjtë gabimet që bëjmë në mbrojtje. Me Izraelin luajtëm në një mënyrë të çuditshme, sepse mbetëm me 10 lojtarë dhe ajo ndeshje ishte vërtet rrjedhojë e minutave të para.

Janë dhënë 4 penallti kundër në minutat e para të 3 ndeshjeve. A na janë bërë mësim?

Nuk e di nëse kemi mësuar nga këto situata, por do ta shohim në të ardhmen dhe do ta kuptojmë që kemi mësuar apo jo.