Trajneri i Kombëtares vjen këtë herë në mediat shqiptare në një intervistë ndryshe. Në një prononcim “soft” kreu i pankinës kuqezi tregon marrëdhëniet me lojtarët, momentin më të vështirë me kuqezinjtë, si dhe lojtarin më problematik. Ai flet edhe për ushqimet shqiptare, si dhe qytetet. “Xhamadani vija-vija” është kënga shqiptare që më pëlqen. “S’mund të quhesha ndryshe veçse Gani Abazi”!

Cili është ushqimi juaj i preferuar shqiptar?

Peshku në përgjithësi. Jo byreku.

Cila është këshilla që ju i jepni shpesh vajzës suaj?

Të përpiqet që të jetë më e qetë dhe që të studiojë më pak.

Cila është fjala e parë që keni mësuar në gjuhën shqipe?

Faleminderit.

Cili është lojtari që shkakton më shumë probleme në Kombëtare?

Asnjëri (qesh…).

Kush është miku juaj më i mirë në Shqipëri?

Adi Kotoni, i hotelit në të cilin unë qëndroj në Shqipëri, është personi me të cilin ndajmë shumë kohë bashkë kur jam këtu.

Çfarë ju pëlqen më shumë te shqiptarët e çfarë jo?

Te shqiptarët më pëlqen… Prisni të mendohem pak (qesh…). Te shqiptarët më pëlqen që janë punëtorë. Ajo që nuk më pëlqen është që harxhojnë shumë kohë në kafene dhe kështu humbasin kohë, në vend që të përpiqen të punojnë më shumë.

Ngjyra juaj e referuar?

Bluja.

Kënga juaj e preferuar shqiptare?

“Xhamadani vija-vija”.

Cili ka qenë momenti më i vështirë që keni kaluar në Shqipëri?

Ka qenë kur humbëm në Slloveni dhe në Islandë. Kanë qenë dy ndeshje që, sipas meje, mund t’i kishim fituar në të parën dhe të barazonim të dytën.

Cila është pyetja që ju bezdis më shumë gjatë konferencave për shtyp?

Kur pas ndeshjeve më pyesin “përse nuk luajti ‘filani’, apo përse nuk luajti ‘fisteku'”.

A u bërtisni lojtarëve në shqip?

Në shqip nuk e di, ama në gjuhën italiane po, dhe shpesh madje.

Cili qytet ju pëlqen më shumë në Shqipëri?

Berati dhe Gjirokastra, megjithatë Tirana është kryeqyteti në të cilin kaloj më shumë kohë.

Pra, edhe Berat Gjimshiti ju pëlqen?

(Qesh…). Po, po, edhe ai më pëlqen.

Nëse do të ishit shqiptar, si do të donit që të quheshit?

Gani Abazi, sigurisht (qesh…)!