Mustafa Ibrahimi studiues i albanologjisë dhe dekan i universitetit të Shkupit, i ftuar në një intervistë televizive, ka komentuar lidhur me debatin e ngritur së fundmi për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Ai u shpreh se konflikti i gjuhës në Maqedoninë e Veriut ekziston prej vitesh dhe se gjuha shqipe aty flitet mbi 25%. Sipas tij maqedonasit duhet të mësojnë shqipen si gjuhë të dytë apo të tretë pasi gjuha i takon individit dhe jo shtetit.
“Është fakt se para gjykatësve për përdorimin e gjuhëve dhe balancimin për të cilin është ngritur kjo procedurë ajo bëhet nga 13 nisma. Tani është nismë e çështjeve politike apo tjetër mjafton të citoj një studiues francez që thotë se dukuria e çështjes së gjuhëve është një fushë beteje mes gjuhëve.
Maqedonia është shtet shumë-kulturor dhe ky konflikt mes gjuhëve ekziston që nga pavarësia. Që në ‘90 politikanët maqedonas bënë gabime strategjike duke nënçmuar faktorin shqiptar sepse është fakt që gjuha shqipe është një gjuhë që flitet nga një numë shumë i madh folësish 25 % dhe nëse shohim krizat nga ‘94 dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit këto gjëra duhet të kishin mbaruar, por fatkeqësisht këto nisma për mua janë të shpejtuara dhe të nxituara politikisht.”
Më tej ai shtoi se nuk mendon se gjykata do marrë një vendim për shfuqizimin e ligjit të dygjuhësisë, ndërsa theksoi se nëse kjo do të ndodhte pasojat do të ishin shumë të mëdha.
“Mendoj se kjo nuk mund të ndodhë për shumë shkaqe, e para në çdo politikë apo nisma asnjëherë s’ka kthim pas. Në 2019 ligji u avancua dhe ai përdoret dhe në institucione të ndryshme dhe mendoj se këtu bëhet një përpjekje për të bërë një statusko për të mos pasur një avancim më tej. Kujt i duhet tani të kthehet në 2001 kur këto gjëra i kemi kaluar dhe gjykata nuk besoj se do marrë një vendim të tillë për shfuqizimin e ligjit të dygjuhësisë.
Pasojat do të ishin shumë të mëdha dhe nuk besoj se do lejehet një gjë e tillë, sepse tek ne gjuha zyrtare nënkupton fuqinë e shtetit dhe kjo do të kishte pasoja të mëdha në funksionimin e institucioneve. Mendoj se maqedonasit duhet ta mësojnë shqipen si gjuhë të dytë sepse kanë nevojë në institucionet.
Besoj se reagimi do të jetë i madh dhe nuk besoj se në këtë situatë të trazuar faktori ndërkombëtar nuk do e lejoj një hap të tillë. Nuk besoj për një grusht shteti sepse gjuha i takon individit dhe jo shtetit.”