Qeveria gjermane reagoi ashpër ndaj deklaratës së fortë të ish-kryeministrit britanik Boris Johnson, i cili tha se Berlini kishte dashur që Ukraina ta humbiste luftën.

Zëdhënësi i ekzekutivit gjerman, Steffen Hebestreit u shpreh se Johnson ka pasur gjithmonë marrëdhënien e tij me të vërtetën dhe rasti u fundit, nuk përbën ndryshim.

“Ne e dimë se ish-kryeministri shumë zbavitës ka pasur gjithmonë një raport të vetin me të vërtetën, edhe në këtë rast nuk është ndryshe”. Kancelari Olaf Scholz (SPD) dhe qeveria federale në tërësi vendosen për furnizime thelbësore me armë Ukrainës, kjo është arsyeja pse “faktet flasin kundër kësaj insinuate”.

Mediat gjermane kujtuan sakaq se Johnsoni është akuzuar vazhdimisht se ka gënjyer gjatë karrierës së tij si gazetar, ligjvënës dhe kryeministër dhe se vetë anëtarët e partisë së tij e detyruan atë të jepte dorëheqjen në korrik. Stacioni amerikan CNN Portugal citoi Johnson të hënën të thoshte se “pikëpamja gjermane ishte në një moment se nëse ky (sulmi rus) do të ndodhte, gjë e cila do të ishte katastrofë, do të ishte më mirë që gjithçka të përfundonte shpejt dhe që Ukraina të hiqte dorë”.

CNN raportoi se Johnsoni pretendoi se Gjermania kishte “të gjitha llojet e arsyeve të forta ekonomike” për këtë qëndrim. Vec Gjermanise, Johnsoni fajësoi edhe Italinë e Francën, duke thënë se kishin bërë një vlerësim shumë të gabuar ushtarak përpara sulmit të Rusisë ndaj vendit fqinj më 24 shkurt.