Pas bllokimit të mëse 15 tonë drogë të magazinuar në tre banesa në fshatin Llakatund, ministri i Brendshëm Dritan Demiraj paralajmëron operacione të tjera kundër drogës nga Policia e Shtetit.
Aq më tepër kur sipas zotit Demiraj, gjatë qëndrimit të tij në këtë detyrë janë bllokuar të paktën 10 skafe që dyshohet se do të përdoreshin për transport të hashashit. 
“Pa dyshim që ka persona të arrestuar, por edhe persona që qëndrojnë pas kësaj sasie të madhe, që do të trafikohej jashtë. Në ditët në vazhdim do të kemi operacione të tjera të suksesshme, jo ndoshta në keto përmasa, por me sasi më të vogla. Ju e dini që kemi patur prodhime në masë dhe jam i sgurt që ka depo të tjera, por ne jemi të vendosur në maksimum për t’i zbuluar e për të çuar para drejtësisë të gjithë personat që janë përgjegjës për këto trafiqe”, ka deklaruar Demiraj. 
Përderisa policia po vijon kontrollin e territorit për të identifikuar dhe asgjësuar parcelat e mbjella, a mund të konisderohet kultivimi i drogës një shqetësim? 
“Janë disa zona shumë të vogla të cilat po identifikohen dhe menjëherë policia do të bëjë asgjësimin e bimëve. Kemi prova dhe evidenca, pasi kohë më parë ju e dini që ndonjëherë policia padrejtësisht është akuzuar që nuk e asgjëson drogën, duke hamendësuar për veprime të tjera. Jo, në këtë drejtim policia bën menjëherë identifikimin, djegien dhe siguron provat. Ne jemi të vendosur të pastrojmë përfundimisht Policinë e Shtetit nga ata zyrtarë që kanë qenë apo janë të përfshirë në trafiqe. Unë mund të them që sasia e mbjelljes se drogës është shumë e vogël dhe se po punojmë intensivisht, por nuk mund të them me përgjegjësi që nuk ka asnjë rrënjë. Do vijojmë këtë luftë jo vetëm me policinë dhe Ministrinë e Brendshme, por me të gjitha strkturat”, ka deklaruar Demiraj. 
Ndryshe nga diksateret e tjera me ministra teknikë, ky pozicion nuk e ka kushtëzuar aspak Dritan Demirajn që t’i japë meritat drejtorit të përgjithshëm Haki Çako dhe çdo polici tjetër për aksionin që zbuloi sasinë më të madhe të drogës. 
“Falenderoj Haki Çakon, drejtuesit e policisë së Vlorës, FNSH-në dhe çdo polic tjetër që ka marrë pjesë në këtë aksion”, ka shtuar Demiraj.