Demokratët e Durrësit, ashtu si ata në të gjithë Shqipërinë, do të votojnë nesër për të zgjedhur kryetarin e partisë.

Në garën mes dy kandidatëve, Sali Berisha dhe Ibsen Elezi, nuk priten surpriza, ndërkohë që fitorja e liderit historik pritet të jetë e thellë ndaj sfidantit të tij.

Zgjedhjet do të mbahen nesër nga ora 08.00 deri në orën 18.00.

Dy qendrat e votimit do të jenë tek Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe në Sukth tek Karburanti Kastrati Oil, Kthesa Ariut.

Surpriza më e madhe pritet të jetë pas konfirmimit të Sali Berishës si kryetar partie, pasi mbetet të shihet si do të reagojë faktori ndërkombëtar ndaj faktit që ish-kryeministri është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Demokratët do t’i drejtohen kështu për të disatën herë kutive të votimit brenda një harku kohor 6-mujor, duke nisur nga 18 dhjetori i vitit të kaluar.

Kujtojmë se Komisioni i Rithemelimit ka zhvilluar disa procese zgjedhore si referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, votimi për zgjedhjen e kryetarëve të degëve lokale, votimi për kryesinë dhe delegatët e Kuvendit Kombëtar dhe tani votimi për kryetarin e partisë.

Mëgjithëse në Kuvendin e datës 11 dhjetor, ky Komision përmendi zhvillimin e primareve për zgjedhjen e krerëve të degëve, por edhe për kryetarin e partisë, ato nuk u organizuan.